Irani paralajmëron reagim të ashpër ndaj çdo sulmi, Trump nuk përjashton sulme të reja

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka paralajmëruar se Teherani do të reagojë ashpër ndaj çdo agresioni të mundshëm, duke rritur edhe më tej tensionet mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Deklarata e tij vjen pas komenteve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili la të hapur mundësinë e goditjeve të reja ushtarake ndaj Iranit, nëse ky i fundit rindërton programin e tij bërthamor apo atë të raketave balistike.

“Në përgjigje të çdo agresioni mizor, Republika Islamike e Iranit do të reagojë ashpër dhe në mënyrë frenuese”, ka shkruar Pezeshkian në platformën X, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Paralajmërimi i Trump u bë gjatë një konference për media pas takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në rezidencën Mar-a-Lago në Florida.

Trump tha se ka informacione se Irani po tenton të rindërtojë kapacitetet e tij ushtarake dhe bërthamore.

“Nëse kjo konfirmohet, do t’i godasim përsëri. Pasojat do të jenë shumë të fuqishme, ndoshta edhe më të forta se herën e fundit”, u shpreh ai.

Tensionet aktuale lidhen me luftën 12-ditore ajrore mes Izraelit dhe Iranit që shpërtheu në qershor, pas një sulmi të befasishëm izraelit ndaj objektivave strategjike iraniane.

Izraeli ka deklaruar se sulmet kishin për qëllim parandalimin e Iranit që të arrinte aftësi të menjëhershme për prodhimin e armëve bërthamore dhe të realizonte, sipas Tel Avivit, synimin për shkatërrimin e shtetit izraelit.

Gjatë këtij konflikti, SHBA-ja kreu një raund sulmesh ndaj objekteve kyçe bërthamore iraniane dhe më pas ndërmjetësoi një armëpushim mes dy palëve. Megjithatë, Trump ka sugjeruar se një ndërhyrje e re amerikane mbetet opsion.

Nga ana tjetër, këshilltari i lartë i udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei, Ali Shamkhani, reagoi duke deklaruar se aftësitë raketore dhe mbrojtëse të Iranit nuk janë të negociueshme. Ai paralajmëroi se çdo agresion do të përballet me një reagim të menjëhershëm dhe të ashpër, “përtej imagjinatës së planifikuesve”, duke e publikuar mesazhin edhe në gjuhën hebraike.

Presidenti Pezeshkian ka deklaruar gjithashtu se tensionet janë në rritje dhe se Irani ndodhet në një “luftë të plotë” me SHBA-në, Izraelin dhe Evropën, të cilët sipas tij nuk duan stabilitetin e vendit. Mediat iraniane kanë raportuar se Pezeshkian ishte plagosur në këmbë dhe kishte shpëtuar për pak nga vdekja gjatë një sulmi izraelit në luftën e fundit.

Ndërkohë, Irani ka këmbëngulur se nuk po pasuron më uranium në asnjë objekt, duke sinjalizuar gatishmëri për negociata.

Megjithatë, agjencitë perëndimore dhe Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike kanë vlerësuar se para luftës Irani kishte pasuruar uranium deri në 60 për qind, një nivel shumë pranë atij të nevojshëm për armë bërthamore.

Shija e redaktorit

Kosova voton sot

Rreth dy milionë shtetas të Kosovës do të kenë mundësi të votojnë sot (e diele) më 28 dhjetor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa...

Osmani takon zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takon të hënën në Uashington zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit...

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Të fundit nga rubrika