Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, do të nisë nga nesër vuajtjen e dënimit në burg pasi u dënua me 5 vjet burg për themelimin e një organizate kriminale në “rastin e Libisë” ku u gjykua për katër akuza, përfshirë korrupsionin.
Sarkozy thuhet se do të paraqitet në burgun “La Sante” në Paris nesër në orën 9:30 të mëngjesit sipas kohës lokale, shkruan Euronews, transmeton Dukagjini.
Autoritetet e burgut kanë urdhëruar që Sarkozy të vendoset në izolim për sigurinë e tij. Në një deklaratë për “Le Figaro” dhe “La Tribune Dimanche”, ai tha se nuk ka kërkuar ndonjë ndryshim në kushtet e dënimit të tij.
Sarkozy do të mbahet në një qeli prej 11 metrash katrorë e cila ka dritare. Sipas informacionit të marrë nga BFMTV dhe “Le Figaro” nga burime pranë presidencës, presidenti francez Emmanuel Macron u takua me Sarkozyn në Pallatin Elysee më 17 tetor, katër ditë para se të fillonte paraburgimi i tij.
Më 25 shtator, Gjykata Penale e Parisit vendosi kundër Sarkozyt në “rastin e Libisë”, ku ai u akuzua për “fshehje të përvetësimit të fondeve publike, korrupsion pasiv, financim të paligjshëm të fushatës dhe krijim të një organizate kriminale me qëllim kryerjen e një krimi”.
Gjykata vendosi se Sarkozy nuk kreu krimet e korrupsionit pasiv, fshehjes së përvetësimit të fondeve publike ose financim të paligjshëm të fushatës dhe e dënoi ish-presidentin me 5 vjet burg për krijimin e një organizate kriminale.
Edhe pse Sarkozy e apeloi vendimin, për shkak të natyrës së vendimit të gjykatës, burgimi i tij u bë vendim i prerë pa përfunduar procesi i apelimit.
Pretendohet se Sarkozy, i cili shërbeu si president i Francës nga viti 2007 deri në vitin 2012 “mori mbështetje të paligjshme financiare nga udhëheqësi i atëhershëm libian Muamar Gadafi për të drejtuar fushatën e tij presidenciale të vitit 2007”. Pas pretendimeve, në vitin 2013 nisi një hetim për incidentin dhe filloi procesi gjyqësor, i njohur publikisht si “rasti i Libisë”.