Izraeli i paralajmëron “për herë të fundit” banorët që të largohen nga qyteti më i madh i Gazës

Izraeli e lëshoi paralajmërimin e “fundit” të mërkurën për banorët e qytetit më të madh të Rripit të Gazës, për t’u larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të ofensivës tokësore.

Ky paralajmërim erdhi ndërkohë që Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – po e shqyrton planin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare në tokën palestineze.

Dëshmitarët raportuan bombardime të mëdha në Qytetin e Gazës, ndërsa ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se ushtria po e ngushton rrethimin e qytetit.

“Kjo është mundësia e fundit për banorët e Gazës që duan të largohen drejt jugut dhe t’i lënë militantët e Hamasit të izoluar në Qytetin e Gazës”, shkroi Katz në X, duke paralajmëruar se ata që mbeten do të “konsiderohen terroristë dhe mbështetës terroristësh”.

Katz tha se ushtria izraelite e ka marrë nën kontroll korridorin Netzarim, që lidh Gazën qendrore me bregun perëndimor, duke e shkëputur veriun e Gazës nga pjesa jugore.

Çdokush që largohet nga Qyteti i Gazës drejt jugut do të duhet të kalojë nëpër postblloqet ushtarake izraelite, shtoi ai.

Njoftimi erdhi disa orë pasi ushtria tha se po e mbyllte rrugën e fundit që ua mundësonte banorëve udhëtimin nga jugu i Gazës drejt veriut.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se intensifikimi i operacioneve ushtarake e ka detyruar ta pezullojë përkohësisht veprimtarinë në Qytetin e Gazës.

Pak ditë më herët, organizata Mjekët pa Kufij e ndali punën në qytet, ku ende veprojnë disa agjenci të OKB-së dhe organizata të ndihmës.

Ndërkohë, Hamasi po e shqyrton një plan për paqe të propozuar nga Trump dhe të mbështetur nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Plani parashikon armëpushim të menjëhershëm, shkëmbim të pengjeve që mbahen nga Hamasi me të burgosur palestinezë të mbajtur nga Izraeli, tërheqjen e Izraelit nga Gaza në faza, çarmatimin e Hamasit dhe krijimin e një qeverie tranzitore të udhëhequr nga një trup ndërkombëtar.

Agjencia e mbrojtjes civile e Gazës – një forcë shpëtimi që vepron nën autoritetin e Hamasit – tha se sulmet izraelite vranë të paktën 46 njerëz në gjithë territorin të mërkurën, përfshirë 36 në Qytetin e Gazës.

E pyetur për një sulm ndaj një shkolle të shndërruar në strehimore, ku agjencia tha se u vranë tetë persona, ushtria izraelite tha se kishte “goditur një terrorist të Hamasit” dhe se “ishin marrë hapa për të zvogëluar sa më shumë dëmin ndaj civilëve”.

Kufizimet ndaj mediave në Gazë dhe vështirësitë për të hyrë në zona të gjera të territorit nënkuptojnë se nuk është e mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur shifrat e viktimave të dhëna nga asnjëra palë./RadioEvropaeLirë

Shija e redaktorit

Përballja e madhe për Prishtinën: Rama, Çeku e Ismaili më...

Më 9 tetor, e enjte në Debat plus, do të zhvillohet një debat mes tre kandidatëve për kryetar të Prishtinës. Pjesëmarrjen e ka konfirmuar sot...

”Lufta e UÇK-së ishte një pelegrinazh”- Ish-komandant “Remi”: Në UÇK...

Rrustem Mustafa, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, është pyetur për Albin Kurtin nëse është veteran i UÇK-së, pasi ai e ka...

Ali Ahmeti: Dëshmia e James Rubin çmontoi propagandën kundër UÇK-së

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas dëshmisë së dhënë nga James Rubin në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë...

Të fundit nga rubrika