Izraeli nis armëpushimin 10-orësh për shpërndarjen e ndihmave në Gaza

Izraeli ka nisur një armëpushim 10-orësh në disa pjesë të Gazës për të mundësuar futjen e ndihmave humanitare, në një kohë kur situata në terren po përshkruhet si katastrofike.

Shefi i ndihmave të OKB-së, Tom Fletcher, tha për BBC se gjendja është aq e rëndë sa që “një në tre persona në Gaza nuk ka ngrënë për ditë me radhë” – përfshirë edhe punonjësit humanitarë që shpërndajnë ndihmat.

Fletcher i quajti ndihmat e fundit të dërguara dje “vetëm një pikë uji në oqean” dhe paralajmëroi se ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për mbijetesën e civilëve.

Ai tregoi gjithashtu se ka folur me të mbijetuarit izraelitë të sulmeve të 7 tetorit në kibucin Nir Oz, të cilët – sipas tij – janë shprehur se duan që ndihma të arrijë edhe në Gaza.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka minimizuar rëndësinë e këtyre ndryshimeve në politikën izraelite, duke deklaruar se “ndihma humanitare është lejuar gjatë gjithë luftës”.

Por mediat izraelite, si gazeta Yedioth Ahronoth, e kanë paraqitur këtë lëvizje si një tërheqje nën presionin ndërkombëtar. Analisti Nahum Barnea shkroi se “katastrofa është bërë aq e madhe, sa Netanyahu u detyrua të ndalonte – të paktën përkohësisht – ofensivën ushtarake dhe të dorëzohej përballë kërkesave të OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare”.

Në një konferencë në Jerusalem, Netanyahu mohoi akuzat se Izraeli po përdor urinë si armë lufte. “Nuk ka politikë urie në Gaza dhe nuk ka uri në Gaza”, tha ai, duke akuzuar Hamasin se vjedh ndihmat dhe më pas fajëson Izraelin.

Por OKB dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë OBSH-në, paralajmërojnë për një krizë serioze urie dhe pengesa të rënda në shpërndarjen e ndihmave për shkak të kontrollit izraelit dhe sulmeve të vazhdueshme.

Hamasi mohon se ka plaçkitur ndihmat. Një raport i brendshëm i USAID-it nga SHBA-ja thekson se nuk ka prova për vjedhje sistematike të ndihmave humanitare nga ana e Hamasit.

Kriza humanitare në Gaza mbetet akute, me ndihmat që ende nuk arrijnë të përmbushin nevojat bazë të miliona civilëve të bllokuar nën luftime./BBC

Shija e redaktorit

Rama nënshkruan vendimin: Banesat komunale për familjet e dëshmorëve, në...

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot se ka nënshkruar një vendim që garanton siguri afatgjatë për familjet e dëshmorëve të...

Osmani kërkon interpretim nga Kushtetuesja për moskonstituimin e Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar sqarim juridik lidhur me situatën pas përfundimit të afatit kushtetues...

Fitore e jashtëzakonshme me nokaut nga Usyk, e rrëzon Duboisin...

Oleksandr Usyk është shpallur kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda në boks, pas triumfit ndaj boksierit londinez Daniel Dubois.  Raundin e parë Usyk e...

Të fundit nga rubrika