Izraeli vret gazetarë të Al Jazeeras në Gazë

Një gazetar i njohur i Al Jazeera – i cili më herët ishte kërcënuar nga Izraeli – u vra së bashku me katër kolegë të tij gjatë një sulmi ajror izraelit të dielën.

Ushtria izraelite tha se ka shënjestruar dhe vrarë Anas Al Sharif, i cili pretendoi se udhëhiqte një celulë të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe ishte përfshirë në sulmet me raketa ndaj Izraelit.

Al Jazeera mohoi këto akuza dhe para se të vritej, Al Sharif kishte mohuar pretendimet e Izraelit se ai kishte lidhje me Hamasin.

Al Sharif, 28 vjeç, ishte në grupin e katër gazetarëve të Al Jazeeras dhe një asistenti që u vranë gjatë sulmit në një tendë afër spitalit Shifa në Qytetin e Gazës, thanë zyrtarët në Gazë dhe media Al Jazeera. Një zyrtar spitalor tha po ashtu se edhe dy persona u vranë gjatë sulmit ajror.

Duke e quajtur Al Sharifin “një prej gazetarëve më të guximshëm të Gazës”, Al Jazeera tha se sulmi ishte “një përpjekje e dëshpëruar për të mbytur zërat në prag të pushtimit të Gazës”.

Gazetarët e tjerë të vrarë ishin Mohammed Qreiqeh, Ibrahim Zaher dhe Mohammed Noufal, tha Al Jazeera.

Al Sharif më herët ka qenë pjesë e ekipit të Reutersit, i cili në vitin 2024 fitoi Çmimin Pulitzer në kategorinë e Fotografisë për Lajmet e Fundit, lidhur me mbulimin e luftës Izrael-Hamas.

Përmes një njoftimi, ushtria izraelite tha se Al Sharif ishte udhëheqës i një celule të Hamasit dhe “ishte përgjegjës për avancimin e sulmeve me raketa ndaj civilëve izraelitë dhe trupave të ushtrisë izraelite”, duke përmendur si prova inteligjencën dhe dokumentet që janë gjetur në Gazë.

Organizatat për mbrojtjen e gazetarëve dhe Al Jazeera dënuan vrasjet.

Tetorin e vitit të kaluar, ushtria izraelite kishte pretenduar se Al Sharif dhe gjashtë gazetarë të tjerë në Gazë ishin anëtarë të Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez, duke cituar dokumente që tha se tregonin një listë të njerëzve që kishin kryer trajnime dhe merrnin paga.

“Al Jazeera në mënyrë kategorike kundërshton përshkrimin e gazetarëve tanë si terroristë nga forcat pushtuese izraelite dhe dënon përdorimin e provave të fabrikuara”, tha atëbotë rrjeti Al Jazeera.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), i cili në korrik bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbrojë Al Sharifin, tha se Izraeli nuk kishte ofruar asnjë provë për të mbështetur akuzat ndaj tij.

“Modeli i Izraelit për të etiketuar gazetarët si militantë pa dhënë prova të besueshme ngre pyetje serioze mbi qëllimet e tij dhe respektin për lirinë e shtypit”, tha Sara Qudah, drejtoreshë e CPJ-së për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Pak para se të vritej, Al Sharif kishte shkruar në X – platformë ku kishte mbi 500.000 ndjekës – se Izraeli kishte bombarduar pa ndalim Qytetin e Gazës për më shumë se dy orë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se do të nisë një ofensivë të re për të shkatërruar bastionet e Hamasit në Gazë, territor ku banorët po përballen me uri dhe kushte të rënda pas 22-muajsh luftë.

Zyra për media në Qeverinë e udhëhequr nga Hamasi në Gazë ka thënë se 237 gazetarë janë vrarë që kur ka nisur lufta më 7 tetor 2023. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ka thënë se të paktën 186 gazetarë janë vrarë gjatë luftës në Gazë./RadioEvropaeLirë

Shija e redaktorit

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Të fundit nga rubrika