Në disponimin e njejtë ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin ka dëshmuar edhe sot si dëshmitar i mbrojtjës së Hashim Thaçit në Hagë, por ishte më i ashpër me Prokurorët e ZPS-së, me pyetjet e të cilëve u ballafaqua këtë të martë.
Fillimisht, ai u ndal tek mbajtja e gjatë në paraburgim e të akuzuarve.
“Mua më shqetëson fakti që dikush të jetë i burgosur për pesë vite përpara se të fillojë të ndiqet penalisht një çështje penale ndërkohë që këta persona janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë qenë shumë bashkëpunues me gjykatën”, ka thënë Rubin.
Në këtë rast, Rubin tha se sipas tij, bëhet fjalë për fajësim kolektiv.
“Më është dukur si fajësim kolektiv për shkak të faktit se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së. Duke pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së unë për tre ditë e kam pa se si janë sjellë ata, se kush ishin përgjegjës, kush ishte komandanti, kush zëvëndësi. Duke pasur këtë lloj njohurie, unë mendoj kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi. Unë nuk jam jurist me profesion, por kam të drejtë të shpreh me zë të lartë opinionin tim”, ka shtuar Rubin.
Rubin u përball me disa deklarata ku UÇK-ja thuhej se kishe kryer veprimtari terroriste por sipas tij kjo qasje ndryshoi kur e kuptuan që organizata ishin “në anën e engjujve”.
“Ndoshta e shkelëm dëshirën tonë për të qenë gjithmonë në anën e engjëjve, sepse për një periudhë kohe, deri sa ta kuptonim më mirë situatën, fillimisht i përshkruam UÇK-në si duke kryer aktivitete terroriste. Më kujtohet edhe arsyeja se pse i dënuam veprimtaritë e UÇK-së në fazën fillestare sepse po vriteshin civilë dhe jo ushtarë. Prandaj, edhe ne i dënuam këto veprimtari të UÇK-së, por me kalimin e viteve ne e njohëm më mirë organizatën”, ka shtuar ai.
Ndër të tjera, Rubin përmendi edhe rolin e Adem Demaçit në vendimmarrje, duke thënë se ai kishte ndikim të madh mbi Hashim Thaçin.
“Demaçi ishte eprori i Thaçit në aspektin ideologjik dhe vendimmarrës. Thaçi kishte nevojë për mbështetjen e tij ideologjike,”tha ndër të tjera Rubin.