Japonezët sfidojnë borën për të votuar në zgjedhjet e parakohshme

Qytetarë nga e gjithë Japonia po sfidojnë motin e ashpër dhe reshjet e borës për të votuar në zgjedhjet e parakohshme të thirrura nga kryeministrja Sanae Takaichi, koalicioni i së cilës pritet të shënojë një fitore bindëse, sipas sondazheve.

Këto janë zgjedhjet e para që mbahen në mes të dimrit në Japoni pas 36 vitesh, pasi zakonisht proceset zgjedhore zhvillohen në kushte më të favorshme klimatike, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Megjithatë, Takaichi vendosi t’i thërrasë zgjedhjet menjëherë pas fitores në garën për udhëheqjen e partisë, me synimin për të siguruar një mandat të fortë nga qytetarët.

Sondazhet tregojnë se Partia Liberaldemokrate (LDP), në koalicion me Partinë populiste të Inovacionit Japonez, mund të fitojë deri në 300 nga gjithsej 465 ulëse në Dhomën e Ulët të Parlamentit.

Ky rezultat do të shënonte një rikthim të fuqishëm për LDP-në, e cila kishte humbur shumicën parlamentare dhe aleatin e saj shumëvjeçar për shkak të skandaleve të korrupsionit dhe rritjes së kostos së jetesës.

Pas dorëheqjes së dy kryeministrave të LDP-së, të cilëve u ranë ndjeshëm vlerësimet, Takaichi është shfaqur si një figurë e pëlqyer për votuesit. Ajo ka fituar mbështetje duke premtuar ulje taksash dhe subvencione, ndonëse kritikët dyshojnë nëse rritja e shpenzimeve publike mund ta ndihmojë ekonominë japoneze, duke pasur parasysh se borxhi shtetëror i Japonisë është ndër më të lartët në botën e zhvilluar.

Analistët vlerësojnë se popullariteti personal i Takaichit mund ta forcojë rezultatin e LDP-së në këto zgjedhje, por moti i keq mund të ndikojë negativisht në pjesëmarrjen e votuesve, veçanërisht në rajonet veriore dhe lindore.

Numri i votuesve që shfrytëzuan votimin e hershëm këtë herë ishte rreth 4.6 milionë persona, rreth 2.5% më pak krahasuar me zgjedhjet e vitit 2024, rënie që autoritetet e lidhin me kushtet e motit.

Disa zona, përfshirë prefekturën Niigata në Japoninë qendrore, raportuan reshje të dendura bore. Ministria japoneze e Transportit njoftoi se deri të dielën në mëngjes ishin pezulluar 37 linja trenash, 58 linja tragetesh dhe ishin anuluar 54 fluturime. Ndërkohë, reshje të rralla bore u shënuan edhe në Tokio, teksa qytetarët iu drejtuan qendrave të votimit.

Admiruese e ish-kryeministres britanike Margaret Thatcher, Takaichi prej kohësh ka synuar të bëhet “Zonja e Hekurt” e Japonisë. Ajo është aleate e njohur e ish-kryeministrit të ndjerë Shinzo Abe dhe mbron qëndrime të ngjashme, përfshirë forcimin e mbrojtjes dhe politika nacionaliste.

Pavarësisht pikëpamjeve të saj tradicionale mbi familjen dhe rolin gjinor, Takaichi gëzon mbështetje të veçantë te votuesit e rinj të moshës 18 deri në 30 vjeç. Që nga marrja e detyrës në tetor, vlerësimet për qeverinë e saj kanë qëndruar kryesisht mbi 70%.

Ajo ka krijuar gjithashtu një ndjekje të fortë në rrjetet sociale, me 2.6 milionë ndjekës në platformën X. Videoja elektorale e LDP-së, ku ajo ishte figura kryesore, u shikua mbi 100 milionë herë për më pak se 10 ditë.

64-vjeçarja është shndërruar edhe në një ikonë të papritur mode, teksa fenomeni “sanakatsu” – që përkthehet lirshëm si “mania Sanae” – është përhapur në vend. Çanta e zezë prej lëkure që ajo mban shpesh është shitur plotësisht, ndërsa stilolapsi rozë që përdori në konferencën e saj të parë për shtyp u bë viral.

Shija e redaktorit

E jashtëzakonshmja Distria Krasniqi, ia sjell Kosovës medaljen e artë...

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar të artën në Grand Slam të Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë. Krasniqi kishte një rrugëtim të gjatë...

Promovohet libri i ri i Luan Tashit mbi Ali Pashë...

Më 5 shkurt (e enjte), në orën 18:30, në Librarinë Dukagjini, në sheshin “Nënë Tereza”, do të promovohet libri më i ri i studiuesit...

Prestigjiozja Forbes: Dukagjini Resort, projekti i parë luksoz në veri...

Revista prestigjioze Forbes shkruan se në bregdetin verior të Shqipërisë, po ngrihet Dukagjini Resort—projekti i parë luksoz në veri që sjell standarde ndërkombëtare dhe...

Të fundit nga rubrika