Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, komentoi ashpër vendimin dënues për të akuzuarit në rastin “Veteranët”.
Ai e quajti këtë vendim “politik dhe të turpshëm”, duke theksuar se prokuroria nuk ka sjellë asnjë fakt, ndërsa avokatët kanë dorëzuar dëshmi të forta që provojnë se veteranët janë të ligjshëm.
““Çështja e veteranëve është vendim politik për komisionin shtetëror dhe apeli e ka kthyer në rigjykim pas vendimit të shkallës së parë që nuk është bërë asnjë shkelje në përputhje me ligjet në fuqi për kategoritë e dala nga lufta dhe ju sugjeron prokurorisë dhe gjykatës të administrojë me 19 mijë 500 emra të veteranëve në një listë padrejtësisht të publikuar ku shkelen shumë ligje dhe prokuroria nuk ka sjellë asnjë fakt. Ndërsa avokatet kanë sjellë dëshmi, madje edhe dëshmi nga gjykata që iu kanë nënshtruar një procesi gjyqësor pesë vendime të veteranëve që e kanë fituar me të drejtë dhe janë veteran të UCK-së”, tha ai.
Jashari e akuzoi trupin gjykues se nuk njeh as terminologjinë e luftës dhe se vendimet po merren në bazë të paragjykimeve dhe fotografive.
“Mbi të gjitha turpin që e ka bërë Apeli siç e dëshmon që e kthen në rigjykim, e dënon Daut Haradinaj me fotografi një vendim që kryetari i këtij trupi që merr nuk dua t’i them shka se për mua është shka, por një serb dhe mjerisht që ka të tillë në gjykatat tona ku luftëtarët e lirisë atë gjyqtarë të Millosheviqit në luftën e UÇK e kanë pasë përballë për luftë për të zhdukur për të vrarë e për të bërë masakra. Ne do të ushtrojmë të drejtat tona, ne do të t’i përgjigjemi institucioneve tona, nuk i frikësohemi drejtësisë por duhet të vërtetojnë ku janë bërë shkeljet”, deklaroi ai para mediave.
Sipas tij, komandantët e zonave janë të vetmit që mund të bëjnë verifikimin e statusit të veteranëve, jo komisione të ndikuara politikisht.
Më 14 korrik, Gjykata Themelore e Prishtinës i shpalli fajtorë dhe i dënoi me nga një vit burgim ish-kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku, dhe 9 të akuzuar të tjerë në rigjykimin e rastit “Veteranët”.
Ata besohet se, në cilësinë e anëtarit të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, keqpërdorën detyrën dhe autoritetin zyrtar, me qëllim që persona të tjerë të përfitonin në mënyrë të kundërligjshme dhe në dëm të buxhetit të shtetit.