Radovan Vishkoviq ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Republika Srpska-s.
Në një deklaratë publike, ai theksoi se kjo është një ditë që e kishte pritur prej kohësh dhe e konsideron si kontribut për një konsensus më të gjerë politik.
“Siç mund ta shihni, nuk jam në spital, por në plazh. Nuk jam ndjerë kurrë më mirë. Kjo është një ditë që e kam pritur prej kohësh, që nga emërimi im si kryeministër, dhe sot e konsideroj këtë një kontribut për një konsensus më të gjerë”, tha Vishkoviq raporton N1 përcjell Dukagjini.
Ai shpjegoi gjithashtu kornizën kushtetuese lidhur me ndryshimet në qeveri, duke theksuar se kryeministri i emëruar ka të drejtë të bëjë deri në një të tretën e ndryshimeve në kabinet gjatë mandatit, pa pasur nevojë për formimin e një qeverie të re. Megjithatë, sipas tij, qeveria aktuale u përball që në fillim me vështirësi, pasi dy ministra dhanë dorëheqje për arsye morale menjëherë pas zgjedhjeve për Asamblenë Kombëtare, ndërsa një tjetër ministër u emërua më vonë në Këshillin e Ministrave.
Vishkoviq bëri të ditur se, në marrëveshje me presidentin e Republikës dhe faktorë të tjerë politikë, është vendosur të zgjidhet një qeveri e re për Republika Srpska-n.
“Unë jam një fëmijë i SNSD-së, mbetem në ekip dhe do të vazhdoj të punoj në një punë tjetër. Do të vazhdoj të kontribuoj, por nga një pozicion tjetër”, përfundoi ai.