Në moshën 83-vjeçare ka ndërruar jetë Faik Hima, një prej figurave të para të gazetarisë televizive në Kosovë. Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur familja përmes një postimi në Facebook.
Faik Hima njihet si spikeri i parë i Televizionit të Prishtinës, duke nisur punën nga studioja në Beograd. Ai ishte një nga folësit e parë në gjuhën shqipe në televizionin e Beogradit dhe pjesë e ekipit themelues të programit në gjuhën shqipe, i cili nisi të transmetohet në fund të vitit 1966.
Emisioni “Pasqyra Televizive” (1966–1973), ku Hima ishte pjesë e ekipit, shërbeu si urë komunikimi për shikuesit shqiptarë në atë periudhë. Pikërisht përmes këtij aktiviteti në Radio Televizionin e Beogradit, Hima dhe kolegët e tij hodhën bazat profesionale për krijimin e Televizionit të Prishtinës (RTP/TVP), i cili u bë televizioni i parë shqiptar në Kosovë.
Faik Hima la pas bashkëshorten Verën dhe fëmijët Arlindën e Fisnikun.