Time Kadrijaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një lidhje direkte në emisionin Debat Plus, deklaroi se partia e saj e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit duhet të përmbyllet brenda një afati prej 30 ditësh.
Ajo tha se AAK-ja kishte synuar të kontribuonte në zhbllokimin e situatës së krijuar.
“Më në fund janë sqaruar shumë çështje që ndoshta edhe para se ta dërgonim lëndën në Gjykatën Kushtetuese, ne i kishim afruar drejt një konsensusi. Kemi kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të ofrojë një kandidat konsensual në mënyrë që të mos krijohej kjo bllokadë. Mirëpo, Vetëvendosje nuk e ka pranuar as bashkëpunimin, as konsensusin, as mirëbesimin,” – tha Kadrijaj.
Ajo shtoi se Lëvizja Vetëvendosje ka vepruar në mënyrë të njëanshme dhe nuk ka treguar angazhim për sigurimin e 61 votave, siç është e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Ata po i referohen një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, mirëpo qartë thuhet edhe në atë vendim se kjo nuk i jep të drejtë partisë në pushtet të bllokojë procesin e konstituimit të Kuvendit,” – theksoi ajo.
Duke iu referuar gjithashtu vendimit të fundit të Gjykatës, Kadrijaj tha se, përderisa procesi ka nisur me votim të hapur, ai duhet të vazhdojë po ashtu me votim të hapur.
“Nuk ka asnjë arsye që nga një votim i hapur të kalohet në një votim të mbyllur. Përkundrazi, edhe për këtë duhet të ketë konsensus,” – përfundoi ajo.