Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se së bashku me kolegët e tij, Ahmedin Shkrijelj dhe Minela Kalender, kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, për përdorim të gjuhës së urrejtjes.
Deklarata që shkaktoi reagimin, e bërë nga Brnabiq gjatë një konference për shtyp pas protestave në Novi Pazar, përfshinte fjalinë: “Dëgjuam thirrje ‘Allahu Ekber’ dhe gjëra tjera të neveritshme”.
Për Kamberin, kjo fjali nuk përfaqëson as lapsus e as interpretim të gabuar, por një nxitje të drejtpërdrejtë të urrejtjes etnike, racore dhe fetare.
“Më 30 korrik 2025, në cilësinë e Kryetares së Kuvendit të Republikës së Serbisë, znj. Ana Brnabić, në një konferencë për media, në zemër të institucioneve shtetërore, përdori një gjuhë që nuk mund të quhet ndryshe veçse e nxitjes ndaj urrejtjes fetare dhe racore. Ajo deklaroi: “atëherë dëgjuam thirrje Allahu Ekber dhe gjëra të tjera të neveritshme.”
Çfarë përfaqëson kjo fjali?
Një fjalë që nuk është as lapsus e as interpretim i gabuar.
Është një fjali që stigmatizon fenë islame, identitetin e shqiptarëve myslimanë dhe komuniteteve të tjera që ndajnë të njëjtën besim, duke i përbaltur dhe asociuar me “të neveritshmen”, me “rrezikun”, me “të huajin” brenda një shteti që ende nuk ka dalë nga trauma e nacionalizmit agresiv të viteve ‘90.
Ne, si përfaqësues të popullit në Kuvendin e Serbisë, nuk kemi as luksin e heshtjes, e as të dorëzimit.
Prandaj, bashkë me kolegët deputetë Ahmedin Škrijelj dhe Minela Kalender, kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj znj. Brnabić për veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, sipas nenit 317 të Kodit Penal të Republikës së Serbisë.
Ky veprim nuk është hakmarrje politike.
Nuk është as sensacionalizëm.
Është një thirrje për drejtësi.
Është përpjekje për të vendosur një precedent: që askush, pavarësisht pozitës dhe privilegjit, nuk mund të nënçmojë komunitete të tëra, të banalizojë ndjenjat fetare dhe të nxisë frikë përmes gjuhës së urrejtjes – pa u përballur me ligjin.
Drejtësia nuk është privilegj i shumicës.
Ajo është mburoja e të drejtave të secilit qytetar – edhe të atyre që e thonë “Allahu Ekber” si shprehje të besimit e jo të dhunës.
Nëse duam një shtet të së drejtë”, ka shkruar Kamberi.