Kancelari gjerman: Rendi botëror i bazuar në rregulla nuk ekziston më

Rendi botëror i bazuar në rregulla “nuk ekziston më”, ka paralajmëruar kancelari gjerman.

Duke hapur Konferencën vjetore të Sigurisë në Mynih, kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, u tha liderëve botërorë se “liria jonë nuk është e garantuar” në një epokë të politikës së fuqive të mëdha dhe se evropianët duhet të jenë të gatshëm për “sakrifica”.

Ai pranoi gjithashtu se “është hapur një përçarje e thellë mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara”, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Konferenca po zhvillohet në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar sovranitetin e Danimarkës mbi Groenlandën, duke u zotuar se do ta aneksojë territorin arktik, si dhe ka vendosur tarifa ndaj importeve nga vendet evropiane.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili ishte i pranishëm gjatë fjalimit të Merz dhe pritet të mbajë fjalimin e tij të shtunën, foli më herët për një “epokë të re në gjeopolitikë”.

Rreth 50 liderë botërorë pritet të marrin pjesë në këtë konferencë, ku në fokus janë mbrojtja evropiane dhe e ardhmja e marrëdhënieve transatlantike.

Ngjarja zhvillohet në një moment kur angazhimi i SHBA-së ndaj aleancës ushtarake të NATO-s është vënë në pikëpyetje. Ambicia e Trump për të marrë Groenlandën është parë nga shumë liderë evropianë si një moment kthesë që ka dëmtuar besimin me aleatin e tyre më të madh.

Trump u tha gazetarëve para Shtëpisë së Bardhë: “Groenlanda do të na dojë… Ne shkojmë shumë mirë me Evropën. Do të shohim si do të shkojë. Po negociojmë tani për Groenlandën.”

Në agjendën e takimit vjetor janë gjithashtu lufta Rusi-Ukrainë, tensionet mes Perëndimit dhe Kinës, si dhe mundësia e një marrëveshjeje bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit.

Duke iu referuar paralajmërimeve të shumta se rendi i bazuar në rregulla po shembet, Merz tha: “Kam frikë se duhet ta themi edhe më hapur: ky rend, sado i papërsosur të ketë qenë edhe në momentet më të mira, nuk ekziston më në atë formë.”

Ai shtoi se “një çarje, një ndarje e thellë është hapur mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Zëvendëspresidenti JD Vance e tha këtë hapur këtu në Mynih një vit më parë”.

Merz vijoi: “Ai kishte të drejtë. Lufta kulturore e lëvizjes Maga (Make America Great Again) nuk është e jona. Liria e fjalës përfundon tek ne kur ajo bie ndesh me dinjitetin njerëzor dhe kushtetutën. Ne nuk besojmë në tarifa dhe proteksionizëm, por në tregti të lirë.”

Megjithatë, Merz nuk e hodhi poshtë partneritetin disadekadësh, duke iu drejtuar drejtpërdrejt SHBA-së me thirrjen: “Le ta riparojmë dhe ringjallim besimin transatlantik.”

Ai zbuloi gjithashtu se po zhvillohen “bisedime konfidenciale” me presidentin francez Emmanuel Macron për krijimin e një mekanizmi të përbashkët evropian të parandalimit bërthamor, pa dhënë detaje të tjera.

Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë dy fuqitë e vetme bërthamore në Evropë, ndërsa Gjermania dhe shumë vende të tjera evropiane tradicionalisht janë mbështetur në ombrellën bërthamore të SHBA-së brenda NATO-s për parandalim.

Në fjalën e tij, Macron përsëriti thirrjen që Evropa “të mësojë të bëhet një fuqi gjeopolitike” në kontekstin e ri global, duke theksuar se kontinenti tashmë po riarmatoset pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022, por se “duhet të përshpejtojmë” përpjekjet dhe të veprojmë në mënyrë të përbashkët.

Duke e cilësuar luftën në Ukrainë si “sfidë ekzistenciale” për Evropën, ai u bëri thirrje liderëve të mos “dorëzohen ndaj kërkesave ruse”, por të rrisin presionin ndaj Moskës për të arritur një paqe të drejtë.

Ndërkohë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen njoftoi se planifikon të takohet me Rubio për të diskutuar kërcënimet e SHBA-së për të marrë Groenlandën nga aleati i saj në NATO.

Shija e redaktorit

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

E jashtëzakonshmja Distria Krasniqi, ia sjell Kosovës medaljen e artë...

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar të artën në Grand Slam të Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë. Krasniqi kishte një rrugëtim të gjatë...

Promovohet libri i ri i Luan Tashit mbi Ali Pashë...

Më 5 shkurt (e enjte), në orën 18:30, në Librarinë Dukagjini, në sheshin “Nënë Tereza”, do të promovohet libri më i ri i studiuesit...

Të fundit nga rubrika