Sot janë duke u zhvilluar Zgjedhjet e Përgjithshme Parlamentare në Kosovë.
Katër kandidatët për kryeministër të Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve që të votojnë në zgjedhjet parlamentare, në mënyrë që të vendosin se kush do të udhëheqë në katër vjetët e ardhshëm.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, votoi në Fakultetin Ekonomik dhe u tha qytetarëve që të votojnë në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet.
“Ditë e re dhe me zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në shtetin e pavarur të Kosovës. Falënderoj të gjithë qytetarët që kanë votuar deri në këto çaste, e inkurajoj çdo njeri të votojë. Ushtrojeni të drejtën demokratike për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet. Përdoreni shansin e lirisë për të vendosur për 4 vitet e ardhshme. Gëzuar e suksese”, tha Kurti.
Bedri Hamza, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, votoi në Mitrovicë të Jugut. Nga atje, ai përçoi mesazhin se qytetarët janë ata që vendosin sot.
“Për mua çdo rezultat që votojnë qytetarët e Kosovës është i pranueshëm, jam optimist. Ka qenë një fushatë e gjatë, por jam i lumtur që gjatë gjithë kohës e kemi ruajtur pozitivitetin”, tha ai.
Ditë të mirë dhe të demokracisë e cilësoi 9 shkurtin kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku.
Ai tha se qytetarët me votë sot vendosin për “fatin e tyre dhe të Republikës së Kosovës” për katër vjetët e ardhshëm.
Ndërkaq, kandidati për kryeministër nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-NISMA-Konservatorët, Ramush Haradinaj, pasi votoi në Prishtinë, ftoi të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e votës.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që organizohen në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Të drejtë vote, brenda dhe jashtë Kosovës, kanë mbi 2 milionë qytetarë.
Në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidatë i pavarur.
Qytetarët mund të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë.
Nga këto votime do të dalë përbërja e re parlamentare prej 120 deputetësh, të cilët më pas do të zgjedhin ekzekutivin e ri.