I ftuar në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, gjeneral Kadri Kastrati, Gjeneral i FSK-së në pension, ka komentuar raportimet për testimin e fundit të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Ai kujtoi se edhe vitin e kaluar ishin bërë testime nga Qeveria, me pretendimin se ura do të hapej për qarkullim, por pas ndërhyrjes së NATO-s, Brukselit dhe KFOR-it, veprimet ishin ndalur.
“Mu më duket shumë qesharake, por mund të them se ndoshta ka ardhë dikush nga jashtë që po i teston urat këtu brenda – dhe Qeveria e Kosovës nuk e di.”, tha Kastrati.
Sipas tij, është e papranueshme që Qeveria të mos jetë në dijeni për lëvizje të tilla, kur vetë Policia e Kosovës, Ministria e Infrastrukturës dhe komunat e Mitrovicës kanë kapacitet të plotë për të kontrolluar çdo aktivitet në atë zonë.
“Ne kemi polici shteti që në çdo moment e di çka ndodh – e sidomos atje. Mos të flasim që Ministria apo zëvendësministri i Infrastrukturës nuk e di. Kjo për mua është jo serioze”, u shpreh ai. Gjenerali Kastrati kërkoi më shumë transparencë dhe koordinim institucional për çështje të tilla që kanë ndjeshmëri të lartë politike dhe sigurisht edhe simbolike në veri të vendit.