Kontrata Kolektive ka penguar seriozisht realizimin e projekteve kapitale në Malishevë, duke shkaktuar humbje mbi 3.5 milionë euro nga buxheti i dedikuar për zhvillim.
Kështu ka deklaruar kryetari i ksaj komuna, Ekrem Kastrati i cili tha se komuna ka rrezik kolapsi financiar dhe buxhetor.
“Kontrata Kolektive që komunat i ka hendikepuar shumë, veçanërisht Komunën e Malishevës e ka penguar shumë, jashtëzakonisht tepër shumë në realizimin e projekteve të cilat i ka paraparë me buxhet të secilit vit veç e veç, e sidomos të vitit të fundit ku nuk kemi arritur që t’i realizojmë projektet tona, mirëpo edhe kontratat që i kemi pasur të themeluara. Kjo është një pengesë për zhvillimin e komunave dhe për realizimin e projekteve të parapara, të cilat edhe janë votuar në asamble respektive të komunave. Deri më tash, gjatë tri viteve të fundit, Komuna e Malishevës ka paguar këto detyrime që kanë dalë nga Kontrata Kolektive përmes gjykatave edhe përmbaruesve më shumë se 3 milionë e gjysmë euro. Prandaj, një komunë sikur që është Malisheva, t’i merren gjithë këto para nga projektet kapitale, vërtet është një ngulfatje edhe në zhvillimin e komunës, edhe ngulfatje në perspektivën apo zhvillimin ekonomik të komunave respektive, këtë rast komunës së Malishevës”, tha ai për EO
Sipas tij, në mungesë ka qenë edhe bashkëpunimi me nivelin qendror.
“Ne deri më tani nuk kemi gjetur asnjë pikë bashkëpunimi me Qeverinë Qendrore që të na dalë në ndihmë apo që të na rimbursojë këto mjete të cilat na i kanë marrë përmbaruesit apo gjykatat përmes vendimeve për t’i paguar anëtarët e sindikatave, përkatësisht detyrimet që dalin nga Kontrata Kolektive. Edhe komunat, në mënyrë selektive, kanë bërë presion në ministritë përkatëse, mirëpo krejt shqetësimin tonë e kemi orientuar në Asociacionin e Komunave, sepse është institucion i cili i mbledh të gjitha shqetësimet që kemi në komunat dhe i prezanton ministrive përkatëse. Mirëpo edhe më tutje asnjë komunë nuk ka pasur një rimbursim të këtyre mjeteve, e që praktikisht del që komunat janë ngufatur, kanë qenë në një kolaps total financiar dhe buxhetor. Kemi pasur momente kur nuk kemi pasur asnjë mjet në gjirollogaritë tona dhe ka qenë rreziku shumë i madh i një kolapsi financiar dhe buxhetor të komunës”, tha ai për EO.