Policia e Kosovës në raportin e saj 24 orësh ka raportuar për katër incidente të ndara kriminale që kanë ndodhur së fundmi në Gllogoc, Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut, duke përfshirë sulme fizike, kërcënim ndaj një zyrtari dhe një rast të sulmit seksual.
Më 24 qershor 2025, rreth orës 19:20, në Gllogoc janë arrestuar tre persona të dyshuar për sulm fizik ndaj dy viktimave meshkuj. Të lënduarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa të dyshuarit janë ndaluar me vendim të prokurorit.
Një tjetër rast është raportuar në Prishtinë, ku më 20 qershor 2025, një person dyshohet se ka sulmuar dhe kanosur një ankues mashkull. I dyshuari është arrestuar më 24 qershor dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Po ashtu, në Mitrovicë të Veriut është raportuar një rast i lëndimit të lehtë trupor. Një burrë është sulmuar pas një mosmarrëveshjeje me një tjetër mashkull kosovar. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa hetimet janë iniciuar me urdhër të prokurorit kujdestar.
Në të njëjtën komunë, është arrestuar një i dyshuar për kryerje të një sulmi seksual ndaj një femre kosovare. Ngjarja ka ndodhur më 24 qershor, rreth orës 12:10. I dyshuari është ndaluar pas intervistimit, me vendim të prokurorit.
Policia njofton se hetimet për të gjitha rastet janë në vijim.