KE pranon se gabimisht kërkoi që shtetet e rajonit t’i vendosnin viza Kosovës

Komisioni Evropian ka bërë të ditur se ka gabuar kur ka kërkuar nga vendet e rajonit për t’i vendosur viza Kosovës





Komisioni Evropian pranoi se në raportin vjetor të monitorimit për shtetet që kanë liberalizim të vizave, të publikuar më 5 dhjetor, gabimisht ka vendosur një pasues ku Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi i kërkohej që t’i vendosnin regjimin e vizave Kosovës.

KE-ja tha se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimet e saj dhe mbështet fuqishëm liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, dhe kërkon që regjimi i vizave në Zonën Shchengen të hiqet pa vonesa për kosovarët, raporton REL.

Vendosja e pasuesit ku kërkohej që Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi t’i vendosnin viza kosovarëve për shkak të, siç u pretendua, se këto dy shtetet nuk i kanë përshtatur politikat e vizave me Bashkimin Evropian, shkaktoi reagime në Kosovë, përfshirë edhe nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami. Ai e kishte cilësuar si “të papranueshëm vendosjen e regjimit të vizave”, por një ditë më pas, tha se KE-ja do ta përmirësojë këtë gabim.

“Mund të konfirmoj se nuk ka absolutisht asnjë ndryshim në qëndrimet e Komisionit Evropian, dhe ne absolutisht mbështesim lirinë e lëvizjes në rajon”, tha gjatë një konference për media, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.

KE-ja tha se ky gabim do të përmirësohet përmes një versioni të ri të po të njëjtit raport. Ky institucion i BE-së tha se nëse ky lëshim do të ishte i vërtetë, ai do të ishte në kundërshtim me mbështetjen e deklaruar të BE-së, për lirinë e lëvizjes mes shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, po ashtu ka mbështetur një marrëveshje të arritur në kuadër të Procesit të Berlinit, për lëvizjen e lirë vetëm me letërnjoftime midis shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Ndërkaq, zëdhënësja për çështje të brendshme e KE-së, Anitta Hipper, tha se KE-ja “tërësisht mbështet lirinë e lëvizjes në rajon dhe tërësisht mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, si çështje me prioritet”.

“Sa i përket çështjes specifike nga rajoni, jemi duke e përmirësuar dhe do të dalë versioni i përmirësuar”, tha ajo.

Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian. Aktualisht, Këshillit Evropian i është dhënë mandati që të negociojë procesin e vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.





Shija e redaktorit

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

“Dukagjini” mbajti seminarin “mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve dhe vetëkujdesi”

Qindra mësimdhënës nga shkolla të ndryshme nga mbarë vendi u bashkuan në seminarin e organizuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”, me temë “Mirëqenia psikologjike e...

Të fundit nga rubrika