Kërcënimet nga “Severna Brigada”, Sveçla: Armiqtë do të japin llogari para ligjit

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka komentuar kërcënimet me jetë që i janë bërë nga organizata terroriste “Severna Brigada”, duke thënë se "armiqtë do të japin llogari para ligjit"

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

“Armiqtë do të përfundojnë gjithmonë duke dhënë llogari para ligjit”.

Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, derisa ka komentuar kërcënimet me jetë që i janë bërë nga organizata terroriste “Severna Brigada”.

Ai ka thënë se ndihet jashtëzakonisht i sigurt falë Policisë së Kosovës dhe profesionalizimit të saj.

“Unë ndihem jashtëzakonisht i sigurt, m’u falë Policisë së Kosovës dhe profesionalizimit të tyre, pra, sukseset e PK-së, ajo që na garanton që qytetarët të kenë jetë të qetë, e institucionet të punojnë të sigurta. Patjetër se në luftën tonë për drejtësi, për rend dhe ligj, gjithmonë do të ketë armiq të kësaj lufte, të cilët në një mënyrë apo tjetër do të godasin institucionet e Kosovës. Mos të harrojmë se edhe vetë PK-ja ka policë të rënë në detyrë, të cilët nuk janë në mesin tonë për të festuar, por janë familjaret e tyre, të cilëve ua uroj ditën e Policisë. Punët vazhdojnë, armiqtë tanë do të përfundojnë gjithmonë duke dhënë llogari para ligjit”, ka thënë ai, raporton KosovaPress.

Këto komente Sveçla i bëri me rastin e vizitës që u bëri njësiteve dhe pajisjeve të policisë në sheshet “Skënderbeu” dhe “Ibrahim Rugova”, me rastin e 24-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.

Sveçla ka folur tutje për profesionalizmin e Policisë.

“Është mirë që Policia e Kosovës pas një kohe të gjatë është jashtëzakonisht e suksesshme në atë pjesë të Republikës së Kosovës, kjo tashmë është evidente. Unë jam i bindur që puna e policisë nuk do të ndalet me kaq. Është fal edhe profesionalizmit të njësiteve të cilat ne i vizituam. Numri i rasteve të pazbuluara është minimale përfshirë edhe atë pjesë të Republikës sonë. Herë do kur do e unë jam i bindur që shumë shpejt secili do të jap llogari për shkeljet, për krimet që ka bërë e që bënë në cilin do cep të Kosovës”, tha ai.

Sveçla tha se anëtarësimi i PK-së në Interpol nuk është duke u bërë për shkak të pengesave politike.

“Për sa i takon aftësive të Policisë së Kosovës, patjetër që jo vetëm se Policia do të ishte pjesë e Interpolit, por do të ishte një ndër policitë më të mira në Interpol, ashtu siç është policia më e mirë në rajon. Është çështje pengesave politike për të cilat ne të gjithë jemi dëshmitarë, unë jam i bindur që me një mobilizim të duhur të të gjithë akterëv në këtë fushë ne do të arrijmë edhe këtë sukses ashtu edhe siç u bëmë pjesë apo dërguam përfaqësuesin tonë në Europol”, tha ai.

Sveçla ka folur edhe për besueshmërinë që e ka ky institucion te qytetarët.

“Policia e Kosovës është institucioni me besueshmërinë më të madhe në shoqërinë tonë. Kjo edhe nuk është e rastësishme falë punës së jashtëzakonshme të çdo zyrtari policor, fal përgatitjes së tyre profesionale dhe pajisjeve të cilat ata me profesionalizëm i përdorin në të mirë të qytetarit në përforcim të rendit dhe ligjit. Gjithmonë duke pasur në fokus barazinë e qytetarëve, duke pasur në fokus të drejtat e tyre dhe ushtrimin e këtyre detyrave të tyre ta bëjnë në një vizion të përgjithshëm në të mirë të të gjithë shoqërisë”, tha ai.

Sveçla nuk ka treguar kohën se kur do të plotësohen kërkesat e PK-së. Ai tha se përmirësimet po vërehen në Policinë e Kosovës.

“Policia e Kosovës është një institucion themelor, ne jemi duke bërë të gjitha përpjekjet që jo vetëm policia e Kosovës të ketë mbështetje e duhur qoftë nga Qeveria qoftë edhe nga institucionet e tjera. Ka përmirësime edhe po shihen përmirësime në pajisje, në mjete në logjistiken e tyre të përgjithshme. Ka përmirësime edhe në të ardhura, por patjetër se ka hapësire për të bërë më shumë. Unë jam i bindur që do t’i tejkalojmë të gjitha”, tha ai.

Ndryshe, Policia e Kosovës (PK) ka filluar punën më 6 shtator të vitit 1999, ndërsa tani po shënon 24-vjetorin e themelimit të saj.

Misioni i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE), ishte përkujdesur që në Kosovë, në pajtim me rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ta hapë Shkollën e Policisë, ku edhe ka filluar trajnimin e kadetëve të parë.

Gjenerata e parë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kishte, gjithsejt, 176 pjesëtarë, të cilët pas trajnimit i shërbyen vendit si policët e parë në territorin e Kosovës.

Ata zhvillonin patrullime të përbashkëta me policinë e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), të cilëve edhe u përgjigjeshin, dhe me ushtarët e NATO-s në Kosovë.

Policia e Kosovës numëron, gjithsej, pesë departamente; të operacioneve, të hetimeve, të kufijve, të shërbimeve mbështetëse dhe atë të burimeve njerëzore.

Në nivel qendror, në kuadër të Divizionit të Sigurisë Publike funksionojnë ndaras dy (2) drejtori, të cilat dallojnë për nga detyrat dhe orientimi i aktiviteteve policore; Drejtoria për Planifikim dhe Vlerësim Operacional dhe Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë.

Ndërsa, në nivel lokal ka, gjithsej, tetë Drejtori Rajonale me, gjithsej, dyzet (40) stacione policore: Prishtinë, Prizreni, Gjilani, Ferizaj, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë e Jugut dhe Mitrovicë e Veriut.

Policia e Kosovës që nga themelimi është institucioni më i rëndësishëm shtetëror që kujdeset për mbrojtjen dhe sigurinë e rendit në vend.

Shija e redaktorit

Spektakël i basketbollit të shtunën në “Karagaç” – Afrim Bilali...

Besëlidhja e Lezhës është skuadra më e suksesshme në Shqipëri vitet e fundit. Dy herë kampione dhe një herë fituese e Kupës - skuadra nga...

TV Dukagjini transmeton ekskluzivisht ndeshjen Peja vs Besëlidhja

Basketbolli rikthehet në TV Dukagjini. Peja vs Besëlidhja, ndeshja parasezonale do të transmetohet direkt në TV Dukagjini të shtunën, nga ora 17:00. Një nga skuadrat më...

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Të fundit nga rubrika