Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, akuzoi Qeverinë Kurti për konflikt interesi, pasi kompania MDA, e themeluar nga shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, ka aplikuar për licencë për tregtim të energjisë në tregun e liberalizuar në Kosovë.
Sipas Tahirit, kjo kompani tani udhëhiqet nga Driton Dalipi, vëllai i Luan Dalipit, ndërkohë që ky i fundit mban një pozitë të lartë në kabinetin qeveritar.
“Luan Dalipi është themelues dhe njëkohësisht ka qenë pronar i kësaj kompanie. Pra, MDA e shefit të stafit të kryeministrit, që sot drejtohet nga Driton Dalipi, ka aplikuar për licencë për furnizim me energji elektrike në vendin tonë. Në njërën anë, kryeministri e dërgon vëllain në Departamentin për Shitblerje të Energjisë Elektrike në KEK dhe në anën tjetër shefi i stafit të kryeministrit kërkon licencë që këtyre kompanive që i kanë qitë në treg të lirë t’iu shesë energji elektrike”, ka thënë Tahiri në një konferencë për media gjatë së premtes.
Pas jehonës në media, Luan Dalipi reagoi përmes një postimi të gjatë në Facebook, duke i cilësuar si akuza të pabaza dhe të motivuara politikisht.
Ai pranoi se kompania është drejtuar nga vëllai i tij, por theksoi se Driton Dalipi është qytetar i lirë dhe ka të drejtë të zhvillojë biznes në përputhje me ligjet dhe rregullat e tregut të liberalizuar.
Dalipi u shpreh se MDA ka mbi 20 vite përvojë në biznes, ka qarkulluar mbi 27 milionë euro, ka kontribuar me 1.5 milionë euro në taksa dhe ka punësuar qindra persona ndër vite, kryesisht në projekte me organizata ndërkombëtare.
Sipas tij, aplikimi për licencë në tregun e energjisë është bërë në mënyrë të ligjshme dhe transparente, dhe se ZRrE, si institucion i pavarur, është i vetmi që vendos për licencimet.
“Po, është e vërtetë – që kur kam hyrë në Qeveri, Dritoni s’ka pushu së qenë vëllau jem (as nuk ishte për t’u pritur ndryshe). Dritoni s’është ministër, s’është këshilltar, s’është as roje tek dera – është thjesht një qytetar i lirë që pas 20 vitesh punë të suksesshme në biznes, ka vendos, para rreth 1 viti, me provu fatin në tregun e liberalizuar të energjisë, si çdo tjetër. Aplikoi ligjërisht, siç bëjnë njerëzit normalë. Portalet që e bënë këtë “Breaking News” ndoshta kanë nevojë për pushim veror… ose një kurs bazik në ekonomi. Kurse për ata që duan të dinë më shumë – lexoni më poshtë.
Dritoni, afarist që 20+ vite, është qytetar i lirë dhe ka të drejtë të angazhohet në zhvillim biznesi, si çdo qytetar tjetër në këtë vend.
Unë kam shërbyer me dinjitet dhe përkushtim në këtë Qeveri tash e katër vjet. Kjo nuk do të thotë që e gjithë familja ime ka hyrë në Qeveri. E as që duhet të paragjykohet për lidhje farefisnore me mua. Unë e inkurajoj Dritonin që të jetë sa më i suksesshëm në biznes, ashtu siç e bëj me secilin tjetër në sektor privat. (Lexoni biografinë e shkurtër timen në fund të këtij postimi për ta kuptuar më mirë pse e them këtë.)
Dritoni dhe cilido qytetar tjetër ka të drejtë të aplikojë për një licencë në tregun e liberalizuar të energjisë. Pastaj është çështje e tregut – ofertë e kërkesë – për ata që kuptojnë pak nga ekonomia. Nëse është konkurrues, do të kontraktohet nga kompani private. Asgjë më shumë, e asgjë më pak”, ka shkruar Dalipi.
Ai gjithashtu kritikoi portalet për “sensacionalizëm” dhe opozitën për “përdorim të propagandës”,
“Për qytetarët e ndershëm të këtij vendi, përfshirë edhe ata me bindje të ndryshme politike: Mos i besoni gjithçkaje që lexoni në portale që fatkeqësisht shumë prej tyre janë shndërruar në vegla të propagandës politike. Ka shumë mercenarë që nuk e kanë hallin tek e vërteta, por tek titujt bombastikë.
Në shkurt e kam pasë një postim rreth krahasimit të kontratave njëburimore, përfshirë edhe ato për media. Shpenzimet për media për ditë qeverisje, nga 2008 e deri në 2024:
AAK rreth 2,900 euro;
PDK rreth 2,000 euro;
LDK rreth 1,400 euro; dhe
LVV rreth 200 euro.
Këto ^^ shifra tregojnë qartë se për opozitën, komunikimi publik nuk ishte mjet transparence, por mjet propagande, apo i sigurimit të ‘heshtjes’ kundrejt qeverisjes jo të mirë të tyre. Ndërsa, Qeveria Kurti nuk ka pasë nevojë ta siguron ‘heshtjen’ e mediave, sepse ka qenë e udhëhequr nga vlerat e transparencës dhe llogaridhënies”, ka shkruar ndër të tjera Dalipi.
Postimi i plotë i Dalipit: