Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se këtë javë në vend do të mbizotërojë mot kryesisht i qëndrueshëm dhe me temperatura të buta për këtë periudhë të vitit.
Sipas IHMK-së, java do të karakterizohet me mot të qetë, me intervale të gjata me diell dhe kthjellime.
Të mërkurën parashihen riga të dobëta lokale shiu në disa zona, ndërsa në pjesën tjetër të ditëve nuk priten reshje.
Në mëngjesin e së hënës priten ngrica të lehta, veçanërisht në zonat malore dhe në disa vise mesatare.
Gjatë ditës, megjithatë, temperaturat do të ngrihen ndjeshëm, duke krijuar kushte agrometeorologjike të favorshme për bujqësinë.
Temperaturat minimale gjatë javës do të lëvizin ndërmjet -2°C dhe 9°C, ndërsa temperaturat maksimale ditore parashihen të jenë nga 13°C deri në 22°C.