Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet tashmë për 37-të herë me radhë, ndonëse kanë kaluar disa muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, bllokada institucionale po vazhdon.
Në lidhje me këtë situatë, ka reaguar avokati Arianit Koci, i cili në një postim të gjatë në Facebook i është drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se me ngulmin për ta mbajtur Albulena Haxhiun si kandidate për kryetare të Kuvendit, po mban peng të gjithë shtetin.
“Ngulmi me Albulena Haxhiun nuk është më bindje politike, as e drejtë e fituar në zgjedhje. Është kapriçio personale – që po e mban peng Kuvendin e Kosovës, po i ngrin proceset dhe po i djeg milionat e popullit”, ka shkruar Koci në Facebook.
Ai ka theksuar se bllokada aktuale nuk është më përballje me opozitën, por bllokim i qëllimshëm institucional, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe funksionimin e shtetit.
“Mos e bëni Kosovën kolateral të kokëfortësisë,” i bëri thirrje Koci Kurtit, duke shtuar se ndryshimi i kandidaturës nuk është humbje politike, por një fitore shtetformuese.