Avokati Arianit Koci ka njoftuar se ndodhet në Beograd, në cilësinë e mbrojtësit ligjor të Mit’hat Lozhanit, i cili është arrestuar nga autoritetet serbe, duke theksuar se rasti kërkon reagim të menjëhershëm institucional dhe ndërkombëtar.
Sipas Kocit, janë siguruar informacione që ngrenë dyshime për trajtim fizik të papërshtatshëm ndaj Lozhanit, marrje të vazhdueshme në pyetje dhe ushtrim presioni gjatë qëndrimit në paraburgim teksa ka kërkuar që këto pretendime të verifikohen pa vonesë, njofton Dukagjini.
Koci, mes tjerash, ka theksuar nevojën për ekzaminim të pavarur mjekësor, dokumentim zyrtar të çdo lëndimi të mundshëm, sqarim mbi mënyrën dhe kushtet e marrjes në pyetje, si dhe masa konkrete për garantimin e sigurisë fizike dhe psikologjike të të ndaluarit.
Sipas tij, nëse ekziston rrezik për sigurinë e Lozhanit, duhet të merret në konsideratë edhe veçimi i tij nga të paraburgosurit e tjerë.
“Ky rast po shkon në drejtim që kërkon reagim të menjëhershëm. Janë marrë informacione për trajtim fizik të papërshtatshëm, marrje në pyetje të vazhdueshme dhe presion brenda paraburgimit. Këto pretendime duhet me u verifiku menjëherë. Duhet: ekzaminim mjekësor i pavarur, dokumentim zyrtar i çdo lëndimi të mundshëm, sqarim për mënyrën dhe kushtet e marrjes në pyetje, masa konkrete për sigurinë fizike dhe psikologjike, veçim nga të burgosurit tjerë, nëse ka rrezik për sigurinë e tij. Autoritetet që e mbajnë në paraburgim mbajnë përgjegjësi të plotë për jetën dhe shëndetin e tij” ka shkruar Koci në Facebook.
Ai ka kërkuar transparencë të plotë dhe monitorim serioz ndërkombëtar të rastit, duke nënvizuar se Lozhani gëzon prezumimin e pafajësisë dhe se ky parim duhet të respektohet në çdo fazë të procedurës.
Sipas Kocit, institucionet e Republikës së Kosovës duhet ta trajtojnë këtë çështje me urgjencë, pasi siguria e shtetasve të Kosovës jashtë vendit është detyrim kushtetues.