Politologu Melazim Koci ka komentuar ashpër vizitën e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, në Beograd, vetëm tri ditë pas takimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq me Vladimir Putinin në Moskë.
“Vizita e Antonio Costës vetëm 72 orë pas takimit të Vuçiqit me Putinin, të shkosh në Beograd, nuk është asgjë tjetër veçse rehabilitim i Vuçiqit para gjithë botës,” deklaroi Koci në emisionin “Five”.
Ai theksoi se një pjesë e Evropës këtë herë ka reaguar fuqishëm kundër kësaj vizite në Serbi, duke e konsideruar të papërshtatshme në rrethana të tensionuara gjeopolitike.
“Mendoj që nuk është dashur të shkojë fare në Beograd. Është dashur ta kalojë Beogradin,” shtoi Koci, duke vënë në pah edhe faktin se kjo vizitë përkoi me një tjetër zhvillim të rëndësishëm – vizitën e kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, në Moskë.
Sipas tij, përmes kësaj vizite në Moskë, Porfirije ka përcjellë një mesazh të qartë: “Nëse ka ndarje të reja gjeopolitike, Serbia dëshiron të rreshtohet me Rusinë, bashkë me Republikën Serbe, Malin e Zi dhe Kosovën.”