Melos Kolshi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka deklaruar për RTV Dukagjini se Partia Demokratike e Kosovës ka devijuar nga premtimet e saj publike, duke u bërë pjesë e bllokadës politike në vend.
“PDK, edhe pse ka deklaruar publikisht se do të votojë secilin kandidat që nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit, sot duke mos votuar, ka treguar se ka devijuar nga këto premtime. Pa marrë parasysh arsyetimet e tyre, fjala publike ka peshë dhe sot është vërtetuar se nuk kanë qenë të sinqertë me publikun. Ata janë bërë pjesë e bllokadës njësoj si Vetëvendosje,” ka thënë Kolshi.
Ai ka shtuar se një parti serioze duhet t’i mbajë premtimet publike dhe të jetë e përgatitur për secilin skenar politik dhe konsultimet që kërkuan do duhej të ishin përfunduar para se ata të jepnin zotime për votim.
Sipas tij, PDK, edhe pse në opozitë, ka një komunikim shumë të dobët me publikun, ndërsa shpesh deputetët e saj mbajnë qëndrime të ndryshme për çështje të caktuara.
“Kjo dëshmon se brenda PDK-së ka një lidership të dobët dhe pa vizion për të ardhmen e partisë dhe të shtetit,” ka theksuar Kolshi.