omisioni për Integrime Evropiane ka miratuar shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje.
Ministri i Financave, Hekuran Murati e ka prezantuar para deputetëve të këtij komisioni, e ku tha se nga instrumenti për reformat dhe rritjen, parashihet që Kosova të përfitojë gjithsej 882.16 milionë euro.
“Kam kënaqësinë që sot të prezantoj para jush, parimisht Komisionit për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, njërin nga dy instrumentet, pra marrëveshjen që realisht kjo është marrëveshja për agjendën e reformave, pra pjesës së reformave. Sepse njëri instrument është ky që miratohet sot, domethënë paketa e reformave, ndërkaq instrumenti tjetër është ai i financimit, pra pjesa e kredisë, i cili do të miratohet pas kësaj edhe në Komisionin për Buxhet dhe është marrëveshje veç e veç që duhet të ratifikohet. Pra, kjo është marrëveshja e instrumentit për reforma të Planit të Rritjes. E mira e kësaj është, siç e tha edhe Kryetarja, që përveç shpërblimit financiar, ose si mund ta quajmë ashtu, kjo në vetvete kjo marrëveshje përmban pra edhe miratimin e reformave të ndryshme që janë dakorduar me Bashkimin Evropian, e për më tepër pra synimi është që përmes këtyre reformave të arrihet edhe më tej përshpejtimi i konvergjencës pra drejt standartit të Bashkimit Evropian. Si vlerë financiare, Kosova është përfituesja më e madhe në raport me bruto produktin vendor, pra është rreth 10% e bruto produktit vendor vlera financiare e pakos mbështetëse të Planit të Rritjes, por kjo normalisht përmban siç e thashë edhe këtë marrëveshjen e reformave. Nga instrumenti për reformat dhe rritjen, parashihet pra të përfitohen gjithsej 882.16 milionë euro. Prej të cilave 253.3 milionë janë grante, pra 1/3-ta është grant, ndërkaq pjesa tjetër prej 629.3 milionë euro do të jetë kredi, që do të ratifikohet me një marrëveshje të veçantë”, tha ai.
Murati në fjalën e tij tha se Kosova ka qenë ndër shtetet e para që ka finalizuar agjendën e reformave dhe kjo është arritur brenda afatit fillestar të vendosur nga Komisioni Evropian, gjersa formalisht ishte miratuar në tetor të vitit 2024.
“Qëllimi i marrëveshjes kornizë, pra teksti i së cilës është standard për të gjitha shtetet përfituese, është që të krijohet baza e përgjithshme kontraktuale që mundëson që Kosova të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian të ofruara në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje. Kurse qëllimi i marrëveshjes për kredinë, është që të rregullojë kushtet të ndërlidhura specifikisht për marrjen e pjesës së fondeve të BE-së të ofruara si kredi dhe mënyrën e menaxhimit të tyre, por kjo është pra një marrëveshje e veçantë. Si qeveri, pra gjatë mandatit të kaluar ne i kemi dhënë rëndësi dhe prioritet këtij instrumenti, ashtu që të respektoheshin të gjitha afatet e vendosura nga ana e Komisionit Evropian. Rrjedhimisht pra Kosova ka qenë ndër shtetet e para, në mos të parët pra që ka finalizuar agjendën e reformave dhe kjo është arritur brenda afatit fillestar të vendosur nga Komisioni Evropian, gjersa formalisht e kemi miratuar pra qysh në tetor të vitit 2024. Megjithatë, përkundër tendencës për të përshpejtuar, ka pasur faktorë të tjerë që kanë ndikuar që procesi të vonohet paksa, duke marrë parasysh që ishte edhe një instrument i krijuar për herë të parë edhe nga vetë Bashkimi Evropian. Pra pjesërisht ka pasur vonesa në finalizimin e agjendës së reformave nga disa shtete tjera përfituese, pjesërisht ka pasur edhe punë paralele që është zhvilluar nga vetë Komisioni Evropian, pra për rregulloren e nevojshme për themelimin e këtij instrumenti të ri, dhe kësisoj pra ka pasur disa ngecje apo vonesa të cilat pastaj neve na zunë në një proces pa Kuvend funksional dhe kësisoj pra është shtyrë apo është vonuar deri më tani edhe ratifikimi i këtij instrumenti”, tha ai.
E kryetarja e këtij Komisioni, Hykmete Bajrami ka konsideruar se Kosova është vonuar ta bëjë ratifikimin e kësaj marrëveshje, por ka shtuar se implementimi i kësaj marrëveshje në përpikëri është një formë e testimit të seriozitetit të shtetit dhe institucioneve të vendit.
Ajo pati edhe një kërkesë nga Qeveria, teksa ka nënvizuar se në këtë marrëveshje BE i ka lënë hapësirë vetës që sa herë që ka dyshime ata të fillojnë hetime, të kërkojnë dokumentime dhe gjithashtu të kryejnë auditime në terren.
“Kërkojmë ministër nga Qeveria e Kosovës, edhe pse ende nuk e kemi të qartë dhe po shpresoj që ju na qartësoni sot se kush do të jetë dikasteri i cili do ta ketë në portofolin e vet jo vetëm këtë marrëveshje, por komplet agjendën e integrimeve evropiane, që Qeveria t’i raportojë Komisionit për Integrime Evropiane në mënyrë periodike, në mënyrë që të rrisim transparencën”, pyeti Bajrami.
E për këtë Murati shpjegoi se mbetet në zyrën e kryeministrit.
“Kjo çështje e integrimit në Bashkimin Evropian si dhe agjendën e reformës pritet të qëndroj ën zyrën e kryeministrit. Ndërkaq sa i përket asaj kur pritet, apo a është punuar? Si qeveri në detyrë kemi punuar në vazhdimësi në atë se çka ka qenë administrativisht e mundur”, përgjigjet Murati.
Megjithëkëtë, Bajrami ka treguar për mekanizmat e kontrollit.
“Mekanizmat e kontrollit të paraparë në marrëveshje janë: kontrolli kombëtar, sistemet e kontrollit të brendshëm, auditimi, thesari duhet të bëjë kontrollet në bazë të kompetencave ligjore, mandej kemi kontrollin evropian që vjen bashkëpunimi i ngushtë me zyrën e Olaf dmth zyra evropiane kundër mashtrimit dhe Gjykata Evropiane e Auditorëve. Gjithashtu zyra e BE-së i ka lënë të drejtën vetes, diskrecionin, që sa herë që ka dyshime ata të fillojnë hetime, të kërkojnë dokumentime dhe gjithashtu të kryejnë auditime në terren”, tha ajo.
Bajrami nënvizon faktin se nëse Kosova nuk përmbush reformat, atëherë dështon në seriozitetin si shtet, por edhe humb mundësinë qoftë për reforma apo edhe përfitime financiare.
“Ne konsiderojmë që jemi vonuar në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje dhe kjo është arsyeja që shpejt e shpejt të vijmë sot. Mendojmë që kjo marrëveshje dhe implementimi i saj në përpikëri është një formë e testimit të seriozitetit të shtetit tonë dhe institucioneve tona. Dhe meqenëse të gjitha disbursimet bëhen në bazë të përmbushjeve të kritereve konsiderojmë që Kosova ka mundësinë që t’i përmbush këto reforma, në mënyrë që të mirat e kësaj marrëveshjeje të jenë shumë më të mëdha sesa vetëm përfitimet financiare. Mirëpo në qoftë se nuk përmbushim këto reforma, atëherë ka mundësi që ne të dështojmë edhe në seriozitetin si shtet, por edhe të humbim një mundësi të mirë, qoftë për reforma apo përfitime financiare”, tha ajo.
E çështjen e tenderëve njëburimor, Bajrami tha se nuk e ngriti ajo në 2023-tën por Raporti i Komisionit Evropian.
“Çështjen e tenderëve njëburimor nuk e kam ngritur unë në vitin 2023 për herë të parë; çështja e tenderëve të negociuar është ngritur nga Raporti i Komisionit Evropian, gjë e cila është shqetësuese dhe po vazhdojnë. Gjithashtu gjatë pesë viteve të kaluara nuk keni arritur që të bëni një reformë në prokurorimin publik dhe po shpresoj që një gjë e tillë do të bëhet së shpejti”, tha ajo.