Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ndodhet në Hagë për deklaratat përmbyllëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, është shprehur i bindur se ish-krerët e UÇK-së do të lirohen.
Konjufca para nisjes së seancës u shpreh se Gjykata Speciale po tenton shtrembërimin e historisë së luftës së drejtë të UÇK-së, njofton Dukagjini.
“Ka qenë shkelje brutale e të drejtës për të pasur gjykim të arsyeshëm në kohë. Tjetra është që ne e patëm kritikën tonë për këtë gjykatë që është një etnike, që fokusin e ka padrejtësisht te UÇK. Unë jam këtu për të konfirmuar edhe një herë që lufta jonë, e popullit të Kosovës ka qenë luftë e pastër, mbrojtëse. Nuk ka qenë qëllimi i kësaj lufte sulmi i asnjë populli tjetër. Targeti i vetëm i uniformave të UÇK-së ishte ushtria e policia serbe, njerëzit e uniformuar okupator që bën gjenocidin në Kosovë, që vranë fëmijë, gra e pleq dhe që i mbytën mbi 12 mijë qytetarë. Kundër tyre ishte e drejtuar lufta e UÇK-së dhe këtë të vërtetë nuk ka asnjë institucion, nuk mund ta ndryshoj asnjë gjykatë. E çka po përpiqet të ndodh brenda kësaj gjykate është shtrembërimi i historisë”, u shpreh Konjufca.
“Verdikti final do të jetë në përputhje me historinë dhe të vërtetën e luftës së UÇK-së”, tha Konjufca.