Ministria e Brendshme në Rusi ka bërë të ditur se të paktën shtatë persona kanë vdekur në rajonin veriperëndimor të Leningradit në Rusi pasi pinë alkool të kontrabanduar.
Në njoftimin e tyre bëhet e ditur se edhe tre persona të tjerë janë duke marrë trajtim mjekësorë, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Një banor i qytetit Gostitsy, pranë kufirit me Estoninë, ishte arrestuar me dyshimin se kishte shitur alkoolin te bashkëfshatarët, tha një zëdhënës i ministrisë së brendshme në një deklaratë.
Rusia shtrëngoi kontrollet mbi prodhimin dhe shitjen e alkoolit pasi 77 persona në Siberi vdiqën pasi pinë alkool të lirë në vitin 2016, por konsumi i alkoolit të bërë në shtëpi mbetet një problem serioz atje.
Ekspertët e industrisë thonë se rritja e çmimeve të alkoolit me pakicë dhe kufizimet rajonale në rritje mbi shitjen e tij kanë bërë që disa njerëz të drejtohen drejt birrave të bëra në shtëpi me pasoja ndonjëherë vdekjeprurëse.