Eksperti i sigurisë, Korab Blakaj, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj institucioneve të Kosovës dhe qasjes së politikanëve në raport me sigurinë kombëtare. Në një lidhje direkte në emisionin Five në RTV Dukagjini, ai tha se klasa politike e vendit nuk ka as vizion dhe as seriozitet në ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
“Ne udhëhiqemi nga politikanë të cilët në fushën e mbrojtjes nuk janë në diskursin e duhur, por janë tërësisht ‘idiotë’. Kanë komoditetin që ta lënë sigurinë si diçka që nuk është prioritare”, ka deklaruar Blakaj.
Sipas tij, të gjitha shtetet po e riformatojnë doktrinën e sigurisë dhe po forcojnë aleancat e tyre, ndërsa Kosova, përkundër situatës së ndjeshme gjeopolitike, po ecën ngadalë dhe pa strategji të qartë.
“Të gjitha shtetet po riformatojnë doktrinat e tyre të sigurisë dhe aleancat me njëra-tjetrën”, ka thënë ai.
Blakaj e ka cilësuar si shqetësuese faktin që Kosova nuk po investon mjaftueshëm në armatosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ndërkohë që Serbia po fuqizon ndjeshëm arsenalin e saj ushtarak.
“Buxheti për armatosjen e FSK-së është larg pritshmërive të mia, ose larg pritshmërive edhe asaj që detyra e dikton, që koha e dikton. Në anën tjetër, Serbia po armatoset me armë ofensive, të cilat janë armë për të sulmuar të tjerët”, ka theksuar ai.
Eksperti ka shtuar se edhe Bosnja e Hercegovina, njësoj si Kosova, duhet të rrisë urgjentisht kapacitetet mbrojtëse për t’u përballur me kërcënimet e mundshme në rajon.
“Bosnja dhe Kosova duhet të kenë kujdes dhe duhet t’i rrisin kapacitetet e tyre mbrojtëse”, ka shtuar Blakaj.
Në fund, ai ka kujtuar se qeveritë e njëpasnjëshme kanë dështuar për vite të tëra në trajtimin serioz të mbrojtjes dhe sigurisë.
“Fatkeqësisht, në të gjitha qeveritë kemi parë një tallje me mbrojtjen. Kanë kaluar shumë vite derisa është nxjerrë një ligj që të themelohet ushtria – FSK-ja, dhe tani shqiptarët po mjaftohen me disa trupa dhe disa teknologji, të cilat nuk mund të përballojnë një luftë konvencionale me Serbinë”, ka përfunduar Blakaj.