Një delegacion i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur nga Kosova, i shoqëruar nga përfaqësues të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë, me fokus thellimin e bashkëpunimit në procesin e kërkimit dhe identifikimit të personave të zhdukur nga lufta.
Takimi u mbajt në Vukovar, ku delegacioni kosovar u prit nga përfaqësues të Drejtorisë për të Burgosurit dhe të Zhdukurit nga Lufta Atdhetare në Kroaci, të kryesuar nga Ana Filko.
Diskutimet u zhvilluan në frymë bashkëpunimi, duke u fokusuar në shkëmbimin e përvojave dhe në adresimin e sfidave të përbashkëta në kërkimin e varrezave masive dhe individuale.
“Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit, Kushtrim Gara, falënderoi palën kroate për mikpritjen dhe organizimin e takimit, duke theksuar simbolikën e Vukovarit si qytet i sakrificës dhe qëndresës gjatë Luftës Atdhetare, si dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në trajtimin e çështjes së personave të zhdukur me forcë.
Gjatë diskutimeve, u prezantua metodologjia që Ministria e Veteranëve Kroatë aplikon në zbulimin e varrezave masive dhe individuale, përfshirë përdorimin e gjeoradarëve, qenve të trajnuar për kërkimin e kufomave, dronëve dhe pajisjeve të tjera bashkëkohore teknike. U diskutua gjithashtu mundësia e bashkëpunimit konkret dhe e ofrimit të mbështetjes profesionale në hulumtimin e lokacioneve të mundshme. Po ashtu me theks të veçantë u potencua edhe dimensioni ligjor i procesit, në garantimin dhe respektimin e të drejtave të familjeve të personave të zhdukur”, thuhet në njoftim.
Delegacioni kosovar vizitoi edhe lokacionin e varrezës masive “Petrovaçka Dola” në Vukovar, si dhe Qendrën Memoriale të Luftës Atdhetare, përfshirë Shtëpinë Përkujtimore Ovçara dhe Memorialin e Varrit Masiv në Ovçara.
Edhe sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Çështjeve të Veteranëve në Kroaci, objektivi kryesor i takimit ishte shkëmbimi i njohurive dhe përvojave në zbatimin e modelit kroat të kërkimit të personave të zhdukur.
“Qëllimi kryesor i takimit ishte shkëmbimi i njohurive dhe përvojave në zbatimin e modelit kroat të kërkimit të personave të zhdukur. Pala e Kosovës shprehu interes të veçantë për metodologjinë e aplikuar nga Ministria e Çështjeve të Veteranëve në zbulimin e vendndodhjeve të varreve masive dhe individuale të fshehura, duke përfshirë përdorimin e qenve për kufoma, gjeoradarit, mjeteve ajrore pa pilot dhe mjeteve të tjera moderne teknike, si dhe mundësinë e ofrimit të mbështetjes nga ekspertë dhe teknikë në hetimin e vendndodhjeve individuale të varreve të mundshme masive dhe individuale”, thuhet në njoftimin e ministrisë kroate.
Në një shkrim në Facebook, pas vizitës Gara ndau reflektime nga vizita në Ovçara, duke përkujtuar krimin e rëndë të kryer në nëntor të vitit 1991, kur mbi 260 civilë dhe mbrojtës kroatë u nxorën nga spitali i Vukovarit, u torturuan dhe më pas rreth 200 prej tyre u ekzekutuan dhe u varrosën në një varrezë masive.
Ai theksoi se edhe sot mbi 60 persona mbeten të zhdukur, përfshirë edhe Jozë Gojanin nga Kosova.
“Rreth pesë kilometra në juglindje të Vukovarit ndodhet ferma Ovçara, e cila në historinë moderne kroate kujtohet si vendi i krimit më të madh të luftës gjatë Luftës Atdhetare. Hangari para luftës shërbente si depo për makineri bujqësore, ndëra në shtator 1991 u shndërrua në kamp përqendrimi. Më 20 nëntor 1991, mbi 260 kroatë (mbrojtës dhe civilë) u sollën aty nga spitali i Vukovarit, ku pas mbërritjes iu morën gjësendet personale dhe iu nënshtruan rrahjeve e torturave të rënda dhe u mbyllën në Hangar
Ata që i mbijetuan dhunës u dërguan po atë natë rreth një kilometër larg hangarit, në një arë të lëruar ku ishte hapur një gropë e madhe. Rreth 200 prej tyre u ekzekutuan me armë zjarri dhe u varrosën në atë vend. Sot, në vendin e ish-hangarit ndodhet Shtëpia Përkujtimore Ovçara, e cila ruan përgjithmonë kujtesën e të plagosurve dhe civilëve të nxjerrë nga spitali i Vukovarit, të burgosur, të torturuar dhe më pas të vrarë e varrosur në mënyrë mizore. Ende janë edhe më se 60 të zhdukur, përfshirë Jozë Gojanin nga Kosova.
Gjatë vizitës, në fund të rrëfimit , Rrëfyesi Muzeal (ciceroni) tregoi që dyert e ish-Hangarit nuk do të mbyllën më asnjëherë”, ka shkruar Gara.