Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e vuri Kosovën dhe Serbinë në mesin e “shtatë luftërave të pafundme” që, sipas tij, ka përfunduar gjatë mandatit të tij.
Trump theksoi se ishte pikërisht ndërhyrja e ShBA-së nën udhëheqjen e tij që ndali përplasjet mes dy vendeve.
Ai e paraqiti këtë si dëshmi të rolit vendimtar të Amerikës, ndërkohë që kritikoi ashpër OKB-në për pasivitet.
“Luftërat” që ai renditi ishin midis: Izraelit dhe Iranit, Pakistanit dhe Indisë, Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos (RDK), Tajlandës dhe Kamboxhias, Armenisë dhe Azerbajxhanit, Egjiptit dhe Etiopisë dhe Kosovës e Serbisë.
“Është për të ardhur keq që më është dashur t’i bëj këto gjëra në vend të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Trump.
Trump gjithashtu ironizoi me problemet teknike gjatë përgatitjes së fjalimit, por mesazhi kryesor i tij mbeti i qartë: ShBA-ja, sipas tij, ka marrë përsipër përgjegjësinë për të zgjidhur tensionet, aty ku OKB-ja ka dështuar.