Kosova merr kontrollin e objektit në Graçanicë ku vepronte Posta e Serbisë

Logoja e Postës së Serbisë në ndërtesën e marrë në kontroll nga Kosova në Graçanicë, RFE.

Posta e Kosovës ka marrë kontrollin e një objekti në Graçanicë, në afërsi të Prishtinës, ku deri më 15 janar të këtij viti ndodhej Posta e Serbisë. Ajo u mbyll në kuadër të një aksioni të gjerë për shuarjen e institucioneve në jug të Ibrit, që funksiononin sipas sistemit të Serbisë.

Kosova i konsideron institucionet serbe paralele dhe ilegale, ndërsa mbyllja e tyre nisi në fillim të vitit 2024, pavarësisht kritikave të komunitetit ndërkombëtar se së pari duhej gjetur një zgjidhje alternative për ofrimin e shërbimeve për qytetarët, të cilët kryesisht janë nga komuniteti serb.

Serbët e Kosovës marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, disa prej të cilave u janë paguar pikërisht në sportelet e Postës së Serbisë, si shtesat për fëmijë apo për nënat, pensionet, ndihmat sociale e të tjera.

Aktualisht nuk dihet nëse Posta e Kosovës do të hapë një filial të ri në objektin e marrë, apo do ta përdorë atë për qëllime të tjera.

Institucionet e Kosovës ende nuk janë deklaruar për aksionin e sotëm.

Drejtori i Postës së Serbisë për Kosovë, Ivan Millojeviq, i cili ishte i pranishëm sot gjatë marrjes së objektit nga Posta e Kosovës dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), u tha gazetarëve se në mes të korrikut u ndryshua pronari në kadastrin e Kosovës, dhe e cilësoi këtë si “uzurpim”, pasi “kemi dëshmi se këtë postë e kemi ndërtuar vetë në vitin 2004”.

“Aty ekzistonte një postë e vogël, e vjetër, prej rreth tridhjetë metrash katrorë, ndërsa ajo që shihni sot, ishte qendra e Postës së Serbisë në Kosovë”, tha Millojeviq, duke e cilësuar atë si “të marrë në mënyrë të paligjshme”.

“Mesazhi im është se do të luftojmë me të gjitha mjetet ligjore për ta dëshmuar këtë në gjykatë. Por, e dini si është kur kadia edhe të padit, edhe të gjykon”, shtoi ai.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar MINT-it me kërkesë për t’i komentuar deklaratat e Millojeviqit, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje.

Përveç Postës së Serbisë, gjatë dy viteve të fundit janë mbyllur edhe Banka Kursimore Postare, Banka Kombëtare e Serbisë, drejtoritë e Fondit të Pensioneve dhe Sigurimeve Invalidore, qendrat për punë sociale, ndërmarrjet publike komunale, organet e përkohshme komunale dhe shumë të tjera./RadioEvropaeLirë

Shija e redaktorit

Spektakël i basketbollit të shtunën në “Karagaç” – Afrim Bilali...

Besëlidhja e Lezhës është skuadra më e suksesshme në Shqipëri vitet e fundit. Dy herë kampione dhe një herë fituese e Kupës - skuadra nga...

TV Dukagjini transmeton ekskluzivisht ndeshjen Peja vs Besëlidhja

Basketbolli rikthehet në TV Dukagjini. Peja vs Besëlidhja, ndeshja parasezonale do të transmetohet direkt në TV Dukagjini të shtunën, nga ora 17:00. Një nga skuadrat më...

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Të fundit nga rubrika