Pas konfirmimit të rasteve me sëmundjen “gjuha e kaltër” në territorin e Maqedonisë së Veriut, Kosova ka ndërmarrë masa urgjente për të parandaluar përhapjen e saj në vend.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka njoftuar sot se është vendosur ndalesë e përkohshme për importin e kafshëve të gjalla – dele dhe dhi – nga Maqedonia e Veriut, duke konsideruar rrezikun e përhapjes së kësaj sëmundjeje tek ruminantët e vegjël në Kosovë.
AUV ka apeluar tek të gjithë fermerët në zonat kufitare që të mbajnë nën mbikëqyrje tufat, të shmangin çdo kontakt me kafshët nga territori maqedonas dhe të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet për zbatimin e masave kufizuese të lëvizjes në kullosa.
“Fermerët që mbajnë dele dhe dhi duhet të respektojnë urdhëresat për ruajtjen e shëndetit të tufave. Çdo ndryshim në gjendjen shëndetësore të kafshëve duhet të raportohet menjëherë tek veterineri”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
“Gjuha e Kaltër” është një sëmundje virusale jo ngjitëse për njerëzit, që përhapet përmes insekteve të llojit Culicoides. Ajo prek gjedhin, delet dhe dhitë, por më e ndjeshme është delja. Sëmundja nuk transmetohet nga kafsha tek kafsha dhe as tek njeriu, por mund të shkaktojë humbje të konsiderueshme për fermerët për shkak të vdekshmërisë dhe dëmeve ekonomike.
AUV siguron se është e mobilizuar në terren për të monitoruar situatën dhe thekson rëndësinë e zbatimit të masave të biosigurisë në fermat blegtorale.