Dokumentari i radhës nga “Mendje Kriminale”, hedh dritë mbi fenomenin e fajdes në Kosovë, duke zbuluar rrëfimet tronditëse të viktimave dhe mekanizmat e errët që drejtojnë këtë aktivitet të paligjshëm.
Një prej viktimave, Muhamed Berisha, i cili ka rënë pre e fajdexhinjve në rajonin e Pejës, ndan historinë e tij të dhimbshme, e cila përfshin borxhe të mëdha dhe kërcënime të vazhdueshme.
Aktakuza e Prokurorisë tregon se Hazir Tahirsylaj dhe bashkëpunëtorët e tij e shfrytëzuan rëndë gjendjen financiare të Berishës, duke e futur atë në një rreth vicioz të borxheve.
Dokumentari zbulon gjithashtu se rrjetet e fajdexhinjve veprojnë në mënyrë të organizuar në të gjithë vendin, duke përfituar miliona euro nga viktimat e tyre.
Në një rast tjetër, një person nga Lipjani u detyrua të kryente vetëvrasje, pasi nuk mundi të përballonte presionin e fajdexhinjve.
Jemi ende në vitin 2024 dhe ngjarja ndodhi në rajonin e Prishtinës, më konkretisht në Lipjan.
Një person me inicialet B.S i dha fund jetës. Hallet ndoshta i ndjeri i mori me vete, por pas la një letër. Aty ai kishte treguar me emër e mbiemër personat që e kishin futur në fajde e që u bënë shkak që ai të përfundojë në vetëvrasje.
Ngjarja ndodhi më 14 maj të këtij viti e në pranga përfunduan babë e bir dhe një person i tretë.
Viti 2024, pra dhe dikush detyrohet të bëjë vetëvrasje për shkak të fajdexhinjëve. Çka të themi?!
Nëse ju jeni viktimë e fajdes besoj se edhe dëshironi të jetoni edhe të dilni nga borxhet e problemet. Janë dy mënyra ose rrugë, e para është me forcat tua, e që nuk besoj se i ke, ndërsa e dyta e ndoshta e vetmja është raportimi dhe bashkëpunimi me Policinë e Prokurorinë e qytetit ose rajonit tuaj.
Situatat ekstreme kërkojnë zgjidhje, ide e sjellje esktreme, me mjete e ide evoluese, thjesht vuajtjet dhe rreziku ngadalësohen, por nuk shuhen.
Zgjidhja radikale ndonëse nuk është e tillë është rrëfimi te prokurori dhe raportimi te polici.
Denoncimi i Muhamed Berishës dhe guximi i zëvendëskryeprokurorit të Pejës, Ersan Çavollit, janë dëshmia dhe harta që secila viktimë e fajdes dhe secili prokuror duhet ta ndjekë për ta gjetur rrugën e së vërtetës dhe drejtësisë së shenjtë.
Nëse do të ndodhte denoncimi edhe në Lipjan, mbase një qytetar i këtij vendi do të ishte në jetë.