Kosova është rreshtuar krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas sulmeve të ushtrisë amerikane ndaj tri objekteve bërthamore në Iran.
Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti u është bashkuar liderëve botërorë në reagimet pas këtyre zhvillimeve.
Ai ka shkruar në Facebook se siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear, e më pak bomba bërthamore që rrezikojnë gjithë njerëzimin.
“Posaçërisht kur shtete autoritare zhvillojnë programe për pajisje me armatim nuklear, kjo çështje bëhet urgjente dhe alarmuese. Republika e Kosovës përkrah qëndrimin e ShBA-ve dhe të Bashkimit Evropian rreth programit të Iranit për t’u pajisur me armë nukleare. ShBA-të janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special. Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike. ShBA-të janë superfuqia demokratike që duhen mbështetur”, ka deklaruar Kurti.
Tash e një javë, Izraeli e Irani po shkëmbejnë sulme ajrore me njëri-tjetrin. E, njohësi i çështjeve të sigurisë Fadil Kajtazi, pret që përfshirja e ShBA-së do t’i jap fund këtij konflikti.
“Ka qenë ndalja ose pamundësia që Irani të ketë armatim nuklear nuk kanë mjaftuar vetëm intervenimet e Izraelit për arsye se objektet kanë qenë të ndërtuara që i kanë përballuar armatimit që e ka pas Izraeli, ajo që është me rëndësi është që SHBA janë përfshirë në një konflikt që do i jap fund kësaj lufte”, ka deklaruar Kajtazi.
Sipas tij, Irani do të detyrohet ta ndërpresë programin bërthamor.
“Tani besoj që do të lajmërohen ndërmjetësuesit a do jetë Turqia apo ndonjë vend tjetër do shohim, besoj që në javër e ardhshme do kemi marrëveshje ku Irani tani do të detyrohet të ndërpresë përfundimisht programet e tij bërthamore”, ka theksuar ai.
Izraeli një javë më parë ka sulmuar bazat ushtarake dhe bërthamore të Iranit, duke pretenduar avancimi i programit të saj bërthamor kërcënon ekzistencën e shtetit izraelit.
Ndërkohë Irani u hakmor duke lëshuar vazhdimisht raketa në drejtim të territorit të Izraelit.