Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, ka kritikuar Gjykatën Speciale në Hagë, duke e cilësuar atë jo thjesht si një institucion, por si një “kancer për politikën e Kosovës”.
Deklaratat i bëri në emisionin Five në TV Dukagjini, për 17 Shkurt, Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Ditë në të cilën u marshua për krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Sipas Kosumit, mënyra se si u krijua Gjykata Speciale ka qenë e pamenduar.
“Gjykata e Hagës nuk është veç një gjykatë. Është një kancer për neve. Është kancer për politikën e Kosovës. Është bërë pa u menduar mirë. Është bërë thjesht po na thonë, po insistojnë… po të çohesh ti me duart tua, në Kuvendin tënd, ta bësh një gjykatë tendën, ta vendosesh në një shtet tjetër. Të cilën ti se kontrollon më…”, ka thënë Kosumi.
Përvjetori i 18-të i Pavarësisë u shënua njëkohësisht me festë dhe protestë. Krahas aktiviteteve shtetërore, mijëra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare morën pjesë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, të mbajtur në Sheshi “Skënderbeu”. Me këtë marsh, protestuesit kërkuan drejtësi për ish-krerët e UÇK-së dhe kundërshtuan atë që e quajnë trajtim të padinjitetshëm në Hagë.