Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur rezultatet preliminare të rundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, duke bërë të ditur se procesi i votimit ka përfunduar plotësisht në të gjitha komunat e vendit.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se në platformën online të institucionit do të pasqyrohen së shpejti edhe rezultatet nga dy vendvotime të mbetura në Mitrovicën e Jugut.
Ai ka theksuar se rezultatet përfundimtare do të shpallen pas përfundimit të numërimit të votave të ardhura nga diaspora, si dhe atyre të personave me nevoja të veçanta dhe votave me kusht.
Sipas tij, votat nga diaspora pritet të arrijnë në Kosovë gjatë javës së ardhshme, ndërsa një javë më pas pritet të përmbyllet procesi i numërimit të të gjitha votave.
Bazuar në rezultatet preliminare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dalë fituese në pesë komuna, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë fituar në nga katër komuna secila. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka siguruar fitoren në tre komuna.