Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i votimit në mbarë territorin e Republikës së Kosovës ka nisur me kohë dhe në mënyrë të rregullt, me përjashtim të ndonjë qendre të vetme ku janë raportuar vonesa të vogla.
“Sot procesi i votimit zhvillohet në 948 qendra të votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 janë qendra të rregullta për votimin e zakonshëm me 2,571 vendvotime, ndërkaq 38 qendra të tjera, nga një në secilën komunë, me 54 vendvotime, janë hapur për të mundësuar votimin me kusht,” ka deklaruar Elezi.
Ai ka bërë të ditur se, sipas listës së votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto zgjedhje është 2 milionë e 25 mijë e 105, të shpërndarë në 38 komuna të vendit.
“Përveç organizimit të vendvotimeve të rregullta, KQZ do të organizojë edhe votimin përmes ekipeve mobile lëvizëse për 3 mijë e 467 votuesit me nevoja të veçanta, të cilët janë regjistruar dhe evidentuar paraprakisht,” ka shtuar ai.
Elezi ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të votojnë për kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit në kuvendet komunale.
“Po ashtu, në këto orë të para të procesit, njoftojmë se përmes platformës elektronike qv.kqz-rks.org, secili votues mund të kontrollojë me lehtësi qendrën e tij të votimit,” ka theksuar ai.
Zëdhënësi i KQZ-së ka njoftuar se sot votohet për 38 kryetarë komunash dhe 942 anëtarë të 38 kuvendeve komunale.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 93 subjekte politike, prej të cilave 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5 mijë e 624, prej të cilëve 205 kandidatë për kryetarë komunash dhe 5 mijë e 419 kandidatë për kuvendet komunale,” ka deklaruar Elezi.