Mandatari për krijimin e qeverisë së re, Albin Kurti, nuk do t’i ketë votat e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës edhe për një mandat tjetër.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se kanë kaluar mbi 8 muaj që janë bllokuar nga siç ka thënë, sjelljet arbitrare që kanë fituar zgjedhjet.
“Kanë kaluar mbi tetë muaj që jemi bllokuar nga sjelljet arbitare të atyre që kanë fituar zgjedhjet. Bëjë thirrje që direkt të shkojmë në votim dhe të verifikohet nëse VV-ja ka arritur shumicën parlamentare. Tani ju bëjmë ftesë që tash ta dëshmoni këtë përgjegjësi”, deklaroi Krasniqi.
Teksa kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk sheh krijimin e qeverisë këtë seancë pasi sipas tij vetë mandatari e pranoi se nuk e ka shumicën.
“Në këtë mungesë njohjeje bazike të arsyes pse jemi mbledhur sot, dëgjuam një përmbledhje pune fiktive që e kemi kry në legjislaturën e kaluar. Tani së paku minimalisht do të duhej të kishim dinjitet. Mungesa e këtij dinjiteti, ka sjell në shkelje të paimagjinueshme 48 herë të Kushtetutës së Kosovës. Mungesa e këtij dinjiteti ka sjell në situatën ku një deputet është edhe kryeministër e ministër”, ka thënë ai.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se fjalimin e Kurtit e ka parë si shfajësim për gjendjen e vendit.
Ka shtuar se si AAK-ja nuk e shohin të arsyeshme që të debatojnë për një program qeverisës, për të cilën, sipas tij, Kurti nuk e paraqiti.
“Kuptohet, ka mundur të shfajësohet edhe një grim më shumë, si për shembull pse jemi në sanksione, pse na është ndaluar dialogu strategjik, pse çmimi i energjisë është rritë kaq shumë, kjo listë ka qenë e gjatë”, u shpreh ai.
Ai e ka quajtur Kurtin “produkt të luftës hibride të armiqve tanë”.