Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka mbyllur sonte fushatën zgjedhore në Mitrovicë, ku shprehu bindjen se qytetarët do ta përkrahin kandidatin e PDK-së, Arian Tahiri, në zgjedhjet e së dielës.
Në një postim në rrjete sociale, Krasniqi theksoi se Mitrovica është “qyteti i krenarisë, i punës dhe i dinjitetit”, duke shtuar se nesër “mijëra qytetarë, të udhëhequr nga fryma e bashkimit, besimit dhe shpresës, do të votojnë për Arian Tahirin si kryetarin e ardhshëm të qytetit”.
“Mitrovica nuk thyhet, nuk frikësohet dhe nuk blihet. Ky është qyteti i Isa Boletinit e i Mehë Ukës, i Kadri Veselit e i Bedri Hamzës dhe tash qyteti që do t’i japë besimin e vet njërit prej djemve të saj më të mirë – Arian Tahirit,” ka shkruar Krasniqi.
Ai shprehu mirënjohje për të gjithë qytetarët dhe aktivistët që, siç tha, “në raundin e parë kanë votuar ndryshe, por sot janë bashkuar për fitoren e Arianit”.
“Faleminderit nga zemra për këtë mbrëmje të jashtëzakonshme, Mitrovicë!” përfundoi ai, duke e shoqëruar postimin me moton #PDK191.