Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit, duke përsëritur qëndrimin e partisë së tij se nuk do të mbështesin asnjë kandidat që ka qenë pjesë e Qeverisë së Albin Kurtit.
“PDK-ja, ashtu siç ka thënë prej fillimit, e përsërit qëndrimin e vet – ne do të votojmë një kandidat të pranueshëm që nuk ka qenë pjesë e qeverisë së Albin Kurtit. Është e drejtë e tyre kë të duan ta kandidojnë, por është obligim i tyre të propozojnë dikë që kalon”, tha ai.
Krasniqi shtoi se me një zgjidhje të pranueshme, çështja e kryesisë së Kuvendit mund të ishte mbyllur që sot. Ai shprehu shpresën se pasnesër do të arrihet një marrëveshje.
“Ne kemi thënë qartë: nuk ka vota për një ministër. Mund të propozojnë dikë që nuk ka qenë pjesë e qeverisë, kjo është çështje e tyre. Nëse do të kishin sjellë një kandidaturë të tillë, sot do ta kishim mbyllur këtë proces. Shpresoj që pasnesër të gjendet zgjidhja”, u shpreh Krasniqi.