Memli Krasniqi, udhëheqës i fushatës zgjedhore të PDK-së dhe ish lideri i saj ka deklaruar se është përmbyllur një fushatë zgjedhore e jashtëzakonshme, duke e cilësuar atë si shembull bashkimi, energjie pozitive dhe shprese për të ardhmen e Kosovës.
Në një postim publik në Facebook, Krasniqi ka theksuar se gjatë gjithë fushatës ka dominuar besimi, vendosmëria dhe mobilizimi qytetar, duke ritheksuar mbështetjen e plotë për kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.
“E ripërsëris: Bedri Hamza është zgjedhja më e mirë për Kosovën. Andaj, nesër është dita. Dil dhe voto. Voto PDK dhe numrin 130”, ka shkruar Krasniqi, duke u bërë thirrje qytetarëve për dalje masive në votime.
Ai ka theksuar se vota për PDK-në është votë për ndryshim, bashkim, stabilitet dhe mirëqenie, duke përmbyllur mesazhin me thirrjen për unitet dhe ecje përpara.
Postimi vjen në prag të ditës së zgjedhjeve, ku PDK synon të rikthehet në qeverisje nën udhëheqjen e Bedri Hamzës, pas një fushate që, sipas Krasniqit, ka dëshmuar pjekuri politike dhe orientim drejt interesit qytetar.