Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar nga Qeveria që të pranojë faktin se vendi gjendet në një krizë të rëndë ekonomike dhe të shfrytëzojë instrumentet e politikave ekonomike për të zbutur efektet e krizës.
Ai ka thënë se Qeveria urgjentisht duhet të ndërmarrë pesë masa të menjëhershme.
“Të lirohen nga TVSH-ja të gjitha mallrat e konsumit për 6 muaj, të eliminohet akciza për produktet e naftës, të lirohet konsumi i energjisë elektrike nga TVSH-ja për periudhë 6- mujore dhe të subvencionohen faturat e atyre me 25 për qind që konsumojnë deri 1200 kw, të rriten sa është norma e inflacionit pagat, të lejohet tërheqja e mjeteve deri në 30 për qind nga Trusti”, është shprehur ai.
Sipas Krasniqit, Kosova po kalon nëpër një vit të vështirë “që si duket do të mbahet mend si një vit i depresionit”, të shkaktuar nga krizat e njëpasnjëshme që kanë kapluar vendin në shumë sektorë.
“Këto kriza po gjejnë një terren të lirë për të lulëzuar si pasojë e kësaj qeverie plotësisht të paaftë për të adresuar problemet me të cilat po ballafaqohen qytetarët e vendit”, ka thënë Krasniqi.
“Kjo qeveri më shpejt se që do të mund ta imagjinonte ndokush, është akomoduar në kolltukët e pushtetit dhe ka humbur ndjenjën ndaj problemeve qytetare. Për faktin se vetë janë akomoduar mirë, po e vlerësojnë se edhe qytetarët po jetojnë mirë dhe se s’kanë arsye të jenë të pakënaqur me kushtet e jetesës në Kosovë”, shtoi ai.
Siç potencon Krasniqi, Qeveria aktuale e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, e ka humbur komunikimin me qytetarët.
Ai ka thënë se kriza në të cilën po kalon vendi, qeveria nuk po e sheh si krizë ekonomike, por si luftë politike dhe si të tillë po e trajton.
“Këtë qasje të qeverisë e ilustron më së miri pakoja e fundit e ashtquajtur për përballje me inflacion, e cila në radhë të parë ka për synim blerjen e paqes sociale pas krizës që qeveria ka krijuar me sjelljen arrogante ndaj punëtorëve të sektorit publik”.
Sipas tij, në këtë situatë, ata që kanë një standard mesatar të jetesës tashmë mezi po ia dalin, ndërsa ata me të ardhura më të ulëta po rrëshqasin drejt pragut të varfërisë.
“Rritje të të hyrave ka pasur vetëm Qeveria, për shkak se po e shfrytëzon situatën e inflacionit dhe rritjes së çmimeve për ta mbushur buxhetin e shtetit”, tha ai teksa shtoi se “qeveritë serioze i paralajmërojnë masat me kohë, në mënyrë që qytetarët të mund të planifikojnë për periudhën e ardhshme”.
“Por qeveria jonë është e prirur që ta befasojë publikun me pako të tilla që dëshmon se këto masa nuk janë planifikuar fare siç duhet, por bëhet shpejt e shpejt varësisht nga situata politike në të cilën gjendet qeveria”, ka thënë Krasniqi.