Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin e paralajmëruar për të martën, më 17 shkurt, në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Krasniqi ka theksuar se marshimi i kaluar në kryeqytet, ku u mblodhën rreth 100 mijë qytetarë, dëshmoi fuqinë e përbashkimit qytetar në thirrjen për drejtësi.
Ai ka theksuar se 17 shkurti paraqet një moment vendimtar për vendin, duke e lidhur atë me fazën finale të procesit gjyqësor në Hagë.
Sipas Krasniqit, kjo çështje nuk i takon një individi, partie apo grupi të caktuar, por lidhet me dinjitetin kombëtar e shtetëror, me të vërtetën historike dhe me të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
“Thirrja jonë mbetet e qartë dhe e pandryshuar: Drejtësi, jo politikë! Liri për çlirimtarët!”, ka deklaruar ai.