“Paqja në Ukrainë mund të arrihet brenda disa javësh”, deklaroi të martën kryeministri polak Donald Tusk, pas bisedimeve me liderë të tjerë evropianë, Kanadanë dhe NATO-n.
Ai i bëri këto komente pavarësisht se Kremlini paralajmëroi se qëndrimi i tij negociues do të ashpërsohet, pasi akuzoi Kievin për një sulm ndaj një rezidence presidenciale ruse – një pretendim që Ukraina e hodhi poshtë si të pabazë dhe të synuar për ta zgjatur konfliktin.
“Paqja është në horizont, nuk ka dyshim se kanë ndodhur gjëra që japin arsye për shpresë se kjo luftë mund të përfundojë, dhe relativisht shpejt, por kjo mbetet një shpresë, larg të qenit 100% e sigurt,” tha Tusk në një mbledhje të qeverisë, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
“Kur them se paqja është në horizont, e kam fjalën për javët që vijnë, jo për muajt apo vitet e ardhshme. Deri në janar, të gjithë do të duhet të bashkohemi… për të marrë vendime për të ardhmen e Ukrainës dhe të kësaj pjese të botës,” shtoi ai.
Tusk theksoi se garancitë e sigurisë të ofruara Ukrainës nga Shtetet e Bashkuara janë një arsye për optimizëm se konflikti mund të marrë fund së shpejti, por nënvizoi se Kievi do të duhet të bëjë kompromise për çështjet territoriale.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi pas bisedimeve me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy të dielën se palët janë “shumë më afër, ndoshta shumë afër” një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, megjithëse ende mbeten “çështje të ndërlikuara”.
Nga ana e tij, Zelenskiy tha se kontrolli i centralit bërthamor të Zaporizhzhias, i cili ndodhet nën kontroll rus, si dhe e ardhmja e rajonit të Donbasit në Ukrainën lindore, mbeten ende të pazgjidhura.
Rusia kërkon që Ukraina të tërheqë trupat nga pjesë të rajonit të Donetskut, të cilat Moska nuk ka arritur t’i pushtojë plotësisht në gati katër vite luftë që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ndërkohë, Kievi dëshiron që luftimet të ndalen përgjatë vijave aktuale të frontit, ndërsa Uashingtoni ka propozuar krijimin e një zone të lirë ekonomike nëse Ukraina tërheq trupat e saj.