Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë ditës së premte kanë mbajtur mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, e thirrur nga kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
Në një njoftim për media bëhet më dije se në këtë mbledhje është diskutuar për zhvillimet e fundi politike në Kosovë “me theks të veçantë mbi skandalet e fundit të VV-së”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon edhe njëherë pamjet e shëmtuara të dhunës në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe refuzon dhunën si mjet. LDK vlerëson se vëmendja duhet të kthehet në normalizimin e situatës në veri, luftimin e krimit dhe korrupsionit. LDK kërkon përgjegjësi politike për skandalin e publikuar të përgjimeve ku pushteti dhe eksponentë të lartë të tij kanë komunikuar me kriminel që janë në listën e zezë të SHBA-ve dhe tendencat e tyre për ndërhyrje në procesin e drejtësisë si dhe përgjegjësi lidhur me arrestimet e njerëzve të pushtetit të dyshuar për korrupsion”, thuhet në njoftim.
Në njoftim theksohet se “skandalet” e VV-s kanë bërë që të harrohen qytetarët dhe sfidat e jetës së përditshme.
“Nga të gjitha skandalet e partisë në pushtet qytetarët janë harruar, prandaj është jetike që vëmendja e institucioneve të Kosovës të kthehet tek sfidat e tyre të përditshme. LDK do të vazhdojë konsultimet me grupe të ndryshme shoqërore në kuadër të nismës drejt rrugës së re; në ndërtimin e masës kritike për ruajtjen e demokracisë, mendimin e lirë e orientimin euroatlantik, si projekt i pandryshueshëm i Republikës. Kosova duhet të kthehet në binarët e saj, prej ku pushteti populist e ka larguar duke e futur vendin në sanksione për tu zmbrapsur pastaj në pikën që LDK ka insistuar në vazhdimësi”, theksohet në njoftim.