Kryeziu: Lista Serbe nuk ka veto bllokuese në konstituimin e Kuvendit, nominimi përmes shortit i Nenad Rashiq është i ligjshëm

Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar i Kushtetueses.

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka komentuar situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, duke thënë se Lista Serbe nuk ka të drejtë vetoje për ta bllokuar konstituimin e institucionit.

Në një reagim në Facebook, Kryeziu shpjegoi se Kushtetuta nuk e rregullon pjesën procedurale për zgjedhjen e nënkryetarëve, por kjo çështje është e përcaktuar në Rregulloren e punës së Kuvendit, e hartuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014. Sipas tij, dispozitat e nenit 12 të kësaj rregulloreje parashikojnë mundësinë që, nëse deputetët serbë refuzojnë të propozojnë kandidat për nënkryetar, procesi të zhbllokohet përmes shortit nga kryetari i Kuvendit.

Duke iu referuar kësaj procedure, Kryeziu tha se nominimi i Nenad Rashiqit, i dalë nga shorti, është plotësisht ligjor dhe se refuzimi i partive të mëdha për ta mbështetur atë është “misterioz dhe i pakuptimtë”.

Reagimi i plotë i Kryeziut:

“LISTA SERBE” NUK KA VETO BLLOKUESE NË KONSTITUIMIN E KUVENDIT. MOS IA NJIHNI PRETENDIMIN PËR VETO!
Meqenëse kushtetuta nuk merret fare me pjesën procedurale se si duhet të nominohen dhe të zgjidhen nënkryetarët e Kuvendit, kjo çështje është rregulluar me Rregullore të Kuvendit. Është shumë e rëndësishme të theksohet që Rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës është shkruar në hijen e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, ku në mënyrë eksplicite thuhet që Kuvendi nuk konsiderohet i konstituar pa u zgjedhur edhe të gjithë nënkryetarët.
Hartuesit e nenit 12 të Rregullores së punës së Kuvendit, në pikat 4 dhe 6 të nenit 12 të rregullores (shihni foton), duke respektuar logjikën bazë të demokracisë, e kanë njohur të drejtën e grupit më të madh të deputetëve serb që ta propozojnë kandidatin për nënkryetar. Por, të vetëdijshëm që, për arsye nga më të ndryshmet, ndër të tjera edhe për qëllim të bllokimit të procesit të konstituimit të Kuvendit, kjo e drejtë mund të keqpërdorej, hartuesit e kanë shtuar pikën 7 të nenit 12 (shihni foton). Pra, në situatën kur shumica e deputetëve serb të refuzojë të propozojë një kandidatë, me çka efektivisht e bllokojnë konstituimin e Kuvendit, Kryetari i Kuvendit e merr situatën nën kontroll dhe, në bazë të shortit, hedh emra kandidatësh në votim, pra e zhbllokon konstituimin e Kuvendit.
Kjo që lexuat më sipër ka qenë qëllimi i hartuesve të rregullores, të cilët në asnjë mënyrë nuk kanë dashur që deputetëve të pakicave t’u lejojnë fuqi bllokuese në procesin e konstituimit. Por, me rastin e votimit për kandidatin Nenad Rashiq, i zgjedhur me short sipas procedurës së paraparë në pikën 7 të nenit 12 të rregullores, ky qëllim patriotik i hartuesve të rregullores u injorua nga PDK dhe LDK. Dhe kjo për mua është tërësisht misterioze dhe e pakuptimtë.
Sa i përket pohimit që është bërë shkelje procedurale, sepse kandidati serb dhe kandidati nga komunitetet tjera jo shumicë nuk janë hedhur në votim së bashku, kjo nuk ka bazë në rregullore. Rregullorja nuk merret fare me çështjen nëse kandidatët për nënkryetar hidhen në votim së bashku apo veçmas. Praktikat e mëhershme parlamentare nuk përbëjnë normë juridike.
Edhe njëherë faktet kryesore juridike:
1. Neni 67 i kushtetutës nuk merret fare me pjesën procedurale të zgjedhjes së nënkryetarëve.
2. Nuk ka asnjë normë kushtetuese që thotë se kandidati për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb duhet të jetë nga një grup i caktur deputetësh. Kushti i vetëm kushtetues është që kandidati të jetë deputet i zgjedhur.
3. Zgjedhja e kandidatit serb për nënkryetar bëhet me 61 vota PËR. Nuk është kusht që kandidati duhet të mbështetet nga dy të tretat e deputetëve që vinë nga komuniteti serb. Pra, me nominimin e Nenad Rashiq nuk ka shkelje të kushtetutës.
4. Sjelljet destruktive të Listës Serbe nuk guxojnë të amnistohen dhe as të shpërblehen. Deputetët jo serb të Kuvendit të Kosovës nuk kanë asnjë obligim që të votojnë kandidatët që vinë nga “Lista Serbe”. Refuzimi për të votuar kandidatin nga “Lista Serbe” duhet t’i shërbejë kësaj të fundit si pikë reflektimi për të korrigjuar sjelljet dhe diskursin.
5. Sipas parimit “mutatis mutandis”, e drejta e nominimit të një kandidati të caktuar për nënkryetar të Kuvendit është e kufizuar në tre herë. Pra, me refuzimin që të vazhdojnë me propozimin e një emri tjetër si kandidat, “Lista Serbe” e ka aktivizuar pikën 7 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit.
6. Pika 7 e nenit 12 të Rregullores së Kuvendit është hartuar me qëllimin që ta pengojë veton bllokuese të Listës Serbe në procesin e konstituimit. Nominimi, në bazë të shortit, i kandidatit Nenad Rashiq është i ligjshëm.
7. Sipas rregullores, votimi veçmas i kandidatit për nënkryetar nga komuniteti serb, nuk përbën shkelje procedurale.
8. VV, PDK, LDK dhe AAK e kanë obligim patriotik e shtetëror që ta përmbyllin procesin e konstituimit të Kuvendit duke e votuar cilido kandidat që vjen nga komuniteti serb, përfshirë edhe deputetin Nenad Rashiq.
9. Çfarëdo pakënaqësie me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar duhet të drejtohet te Gjykata Kushtetuese, por konstituimi i Kuvendit nuk guxon të mbahet peng.
10. Aman, mos u bëni më katolikë se Papa, se më vjen shumë zor të shprehem ndryshe.

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika