Kuçi: Delegjitimimi i Perëndimit, strategji e Serbisë për sabotim të dialogut me Kosovën

Gurakuç Kuçi nga Instituti Octopus ka reaguar lidhur me diskursin e fundit në Serbi për presionin e pretenduar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian për njohjen e Kosovës, duke e cilësuar atë si pjesë të një strategjie të qëllimshme politike.

Sipas Kuçit, reagimi i amplifikuar nga propaganda serbe se SHBA-ja po e shtyn Serbinë drejt një marrëveshjeje sekrete për ta njohur Kosovën, si dhe deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiç se “Serbia nuk do ta njohë Kosovën”, nuk janë spontane apo emocionale, por pjesë e një konstruksioni strategjik, njofton Dukagjini.

Kuçi vlerëson se bëhet fjalë për “dy goditje diskursive me të njëjtin objektiv” – ndërtimin e narrativës se Serbia është nën rrethim politik nga Perëndimi dhe po detyrohet të heqë dorë nga pozicioni i saj për Kosovën.

Sipas tij, në kohën kur kërkohet rifillimi i dialogut Kosovë–Serbi, kjo qasje synon të minojë klimën e besimit dhe ta pozicionojë Serbinë në linjë të sinkronizuar me interesat ruse.

Kuçi thotë se në logjikën e luftës hibride narrativa i paraprin lëvizjes dhe përgatit terrenin për zhvillime të tjera në prapaskenë.

Më poshtë e gjeni reagimin e plotë të Kuçit:

Delegjitimimi i Perëndimit si mjet negociues në “çështjen” e Kosovës

Reagimi i amplifikuar nga propaganda serbe se SHBA-ja po e shtyn Serbinë drejt një marrëveshjeje sekrete për ta njohur Kosovën, si dhe deklarata e Aleksandër Vuçiqit se “Serbia nuk do ta njohë Kosovën”, nuk janë episode spontane dhe as reagime emocionale. Janë pjesë e një konstruksioni të qëllimshëm strategjik.

Muajin e kaluar ishte Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i cili sugjeroi se Serbia duhet të rishqyrtojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian për shkak të presionit për njohjen e Kosovës. Tani në diskursin serb sulmohet SHBA-ja, duke u paraqitur si aktor që përmes “marrëveshjeve sekrete” synon t’ia imponojë Serbisë njohjen e Kosovës.

Kemi dy goditje diskursive me të njëjtin objektiv: të ndërtohet narrativa se Serbia është nën rrethim politik nga Perëndimi dhe po detyrohet të heqë dorë nga pozicioni i saj.
Në kohën kur kërkohet rifillimi i dialogut Kosovë–Serbi, kjo qasje shërben për ta minuar klimën e besimit dhe për ta pozicionuar Serbinë në linjë të sinkronizuar me interesat ruse.

Në këtë kuadër, ndiqet një psikostrategji me katër vektorë të qartë:

1. Krijohet ndjenja e kërcënimit ekzistencial duke shtyrë përpara narrativën se Serbia po detyrohet të heqë dorë nga “territori i saj”, e shoqëruar me amplifikim të propagandës për presion të jashtëm.
2. Normalizohet tensioni i vazhdueshëm me Perëndimin, duke e bërë konfliktin verbal rutinë. Kjo e paraqet militarizimin si detyrë nacionaliste dhe e forcon konsolidimin e brendshëm të pushtetit, sidomos në prag të zgjedhjeve.
3. Ulen pritjet për kompromis përmes delegjitimimit të BE-së dhe SHBA-së si ndërmjetës neutralë, duke e zgjatur modelin e stabilokracisë dhe duke e paraqitur çdo presion si sulm ndaj Serbisë.
4. Krijohet hapësirë për një zhvendosje më të lirshme strategjike drejt Rusisë, duke e paraqitur atë si partner alternativ në kushtet e “presionit” perëndimor.

Në logjikën e luftës hibride, narrativa paraprin lëvizjen. Diskursi përgatit terrenin. Dhe kur terreni përgatitet me kujdes, zakonisht kjo nënkupton se paralelisht po zhvillohen kalkulime dhe manovra të tjera në prapaskenë.

Pra, qëndrimet nga Kosova duhet të jenë unike dhe të forta kundrejt Serbisë dhe i tillë duhet të jetë edhe bashkëpunimi e lobimi me aleatët perëndimor kundrejt strategjisë ruso-serbe.

Shija e redaktorit

Raportimet për reduktim të trupave të KFOR-it: NATO dhe Pentagoni...

Katër diplomatë të NATO-s kanë “alarmuar” Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën këtë të enjte pas deklarimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)...

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Të fundit nga rubrika