Gurakuç Kuçi, hulumtues i lartë në Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, ka reaguar lidhur me shkeljen e heshtjes zgjedhore në ditën e zgjedhjeve nga Lista Serbe, duke e cilësuar këtë veprim si ndërhyrje të qëllimshme politike.
Sipas Kuçit, Lista Serbe – subjekt i mbështetur drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë – ka thyer hapur heshtjen zgjedhore përmes rrjeteve sociale dhe mediave serbe, duke bërë thirrje të vazhdueshme për votim dhe duke promovuar publikisht edhe numrin zgjedhor të subjektit.
Ai thekson se paralelisht janë raportuar edhe raste të organizimit të votimit në grup, praktikë kjo e ndaluar shprehimisht nga ligji zgjedhor i Kosovës.
Sipas tij, këto nuk janë incidente të izoluara, por shkelje të përsëritura që dëshmojnë një model të qëllimshëm ndërhyrjeje politike.
Kuçi vlerëson se Serbia dhe Lista Serbe veprojnë si faktor destabilizues jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin më gjerë, duke kujtuar se në Serbi janë trajnuar rekrutë për ndërhyrje në proceset zgjedhore në Moldavi.
“Qëllimi i tyre nuk është demokracia, por instrumentalizimi i saj – përdorimi i zgjedhjeve për kapje politike dhe destabilizim institucional. Ky është një model i njohur, i huazuar nga praktikat ruse të ndikimit dhe ndërhyrjes hibride”, ka theksuar Kuçi.
Në fund, ai u bën thirrje vëzhguesve ndërkombëtarë që këtë sjellje ta trajtojnë me seriozitet maksimal, duke paralajmëruar se veprime të tilla dëmtojnë drejtpërdrejt perspektivën evropiane të rajonit dhe ushqejnë autokracinë, tensionet ndëretnike dhe konfliktin politik.