‘Kurthi’ i Vuçiqit në Kragujevc

Pse Memorandumi i “lëvizjes studentore” rikthen këmbanat e vdekjes në Ballkan

Aleksandar Vuçiq kamuflohet me “zërin” e studentëve, apo alternativa e tij “evropiane” vjell produktin e skaduar të propagandës shoviniste?

Memorandumi i “lëvizjes studentore” për “Kosovën dhe Metohinë” në Kragujevc, është rikthim te Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve (1986), i cili trasoi rrugën e programit gjenocidal të Millosheviqit në Kroaci, Bosnjë e Kosovë dhe zgjatimit të tij me Vuçiqin, për Kosovën “e shenjtë” e të “patjetërsueshme”.

Si produkti më i ri i komunikimit strategjik kundër Kosovës, Memorandumi i Kragujevcit e agravon pozicionin për Kosovën në “imperativin historik e moral që nuk negociohet”, duke i shërbyer ‘kurthit’ të Vuçiqit për t’u dukur më pragmatik e i moderuar. Në thelb nuk ndryshon asgjë, por në kontekstin e vlimeve të brendshme politike në Serbi, “lëvizja studentore” duhet të shfaqet më brutale.

Është si raporti mes ideologut e fanatikut, ku i pari projekton, kurse i dyti më pas e tepron. I pari e ka instaluar në sistem “të vërtetën e kapur” me institucionet, kishën e arsimin, kurse i dyti e ka mësuar atë që në shkollë fillore dhe e reciton “me besnikëri ndaj Zotit”.

Shefi i Radojçiqit dhe sponsorizuesi i sulmeve terroriste në Banjskë e Varragë, kujdeset për t’u shfaqur “konstruktiv” në dialog, kurse opozita e tij “evropiane” ngulet në “imperativin që nuk negociohet”.

Një qasje më agresive nga ajo që mund të vijë, krijon më shumë hapësirë për Vuçiqin si “partner i domosdoshëm” i Perëndimit. Një mekanizëm klasik i autokratëve, që minon studentët në fushën e “dijes së kontrolluar”.

E përtej relacionit brenda lojës së pushtetit, memorandumi e rikonfirmon tezën se Kosova nuk është çështje pushteti a opozite në Serbi. Konsensusi shovinist për Kosovën tregon se ‘bombat’ e vitit ‘99 nuk e kanë denazifikuar, ndërsa mbështetja dhe perspektiva evropiane vazhdojnë të keqpërdoren me “neutralitetin” dhe rreshtimin ruso-kinez.

Zgjedhja e Kragujevcit është po ashtu element i konsistencës shoviniste. “Qendra e mendimit shtetformues serb” përbën referencën e politikës ekspansioniste në kurriz të shqiptarëve.

Pas spastrimit etnik të Nishit, Toplicës, Leskovcit e Vranjës (1877–1878), përmes terrorit e masakrave, dhe pas tentimit për ta bërë të njëjtën me operacionin ‘Patkoi’ (1999) në Kosovën e sotme, Serbia edhe më tutje vazhdon lojën e vdekjes në Ballkan.

Kjo do të thotë se problemi i saj nuk është Vuçiqi apo “studentët nacionalistë”. Problemi i saj është fryma e miteve të rrejshme që prodhon vuçiqë dhe “studentë nacionalistë”.

Prandaj, për aq kohë sa Perëndimi do t’ia tolerojë përfitimin e dyfishtë – Brukselin për fonde dhe Moskën për strategji – Serbia do të vazhdojë me BE-në si mburojë dhe me ‘Botën Serbe’ si projekt që minon Ballkanin.

Të fundit nga rubrika